VELIPOJE- Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, është ndalur ditën e sotme në Velipojë, ku mori pjesë në çeljen e sezonit turistik dhe në aktivitetin e organizuar me këtë rast. Në këtë aktivitet, kreu i LSI shoqërohej edhe nga Keti Bazhdari, kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për bashkinë Shkodër.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Meta uroi për një sezon të mbarë turistik dhe theksoi se tha se Bashkia e re e Shkodrës do të bëjë gjithçka edhe me mbështetjen e qeverisë në mënyrë që standardi në Velipojë të jetë ai më i merituari.

“Dua të uroj të gjithë banorët e Velipojës dhe të gjithë Shkodrës një sezon të mbarë turistik, një sezon të mbarë pranveror dhe veror dhe jam i sigurt se vitin tjetër kushtet do të jenë akoma më të mira për arsye, sepse Bashkia e re e Shkodrës, për të cilën ju do të votoni në 21 qershor, do të bëjë gjithçka edhe me mbështetjen e qeverisë, edhe me mbështetjen e deputetëve, në mënyrë që standardi këtu në Velipojë për të gjithë pushuesit të jetë ai më i merituari, sidomos për të rinjtë dhe për të rejat për të pasur më shumë mundësi, jo vetëm për të pushuar, por edhe për t’u argëtuar”, – tha z. Meta.

Meta tha se janë bërë shumë projekte gati të cilat do ta transformojnë tërësisht Velipojën, duke e bërë atë atraktive, jo vetëm për të gjithë shkodranët dhe të gjithë shqiptarët, por edhe për turistët e huaj.

“Unë besoj se 21 qershori është një datë shumë e rëndësishme për të gjithë ju, sepse keni mundësi që t’i jepni jetë dhe t’i jepni një nxitje të fortë një projekti të madh dhe transformues të qytetit ‘Keti për Shkodrën’. Është një projekt i krijuar nga ju, nga vetë ambienti dhe mjedisi shkodran. Keti para disa vitesh ka qenë një prej jush, edhe ka arritur me vizion, me pasion, me këmbëngulje, jo vetëm të studiojë, jo vetëm të fillojë gjithçka pothuajse nga zero, por të ndërtojë një projekt të saj mjaft të suksesshëm, duke arritur të punësojë me qindra njerëz”, u shpreh Meta.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se projekti “Keti për Shkodrën” është i suksesshëm, sepse është një projekt i nisur nga vetë komuniteti i Shkodrës.

Ndërkaq, kandidatja e përbashkët e koalicionit të majtë, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, Keti Bazhdari vlerësoi energjinë e të rinjve, duke garantuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkisë së re të Shkodrës për rininë.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb