TIRANE– Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për grupin e zjarrit të Lazaratit. Shtetasit Gentjan Kazma, 33 vjeç; Arjan Basha, 47 vjeç; Ramadan Basha, 31 vjeç; Gurgaz Skënderi, 24 vjeç; dhe Mirteza Shemsho, 42 vjeç; të pestë banues në Lazarat, u arrestuan dy ditë më parë, pasi akuzohen për një sërë veprash penale. Të pestë këta persona akuzohen se janë pjesë e grupit të zjarrit që qëlloi me armë ndaj uniformave blu, gjatë zhvillimit të operacionit Antikanabis Qershor 2014 në Lazarat.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim që prej qershorit të vitit 2014, ndërsa më 1 maj të këtij viti u bë i mundur arrestimi i tyre.
Sipas Prokurorisë së krimeve të Rënda, ky grup personash dyshohet se ka pasur aktivitet të zgjeruar në kultivimin, prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.
“Për këta shtetas është aprovuar nga gjykata për krime të rënda kërkesa e prokurorisë për masën e sigurisë “arrest me burg”, të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprave penale të: “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, “Vrasje me dashje e punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë, “Armëmbajtje pa leje”, si edhe kultivim, prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. Pritet që ditën e Hënë të zhvillohet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë edhe për shtetasin e arrestuar tashmë, Altin Shurdhi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Lidhur me goditjen me armë zjarri ndaj forcave të policisë së shtetit gjatë datave 15.06.2014 deri në datë 20.06.2014 tashmë janë të arrestuar nga muaji qershor 2014 edhe shtetasit: Razip (Gate) Mahmutaj, Vandam Mahmutaj, Matjas Bocia, Emiljano Aliko.
Në kuadër të operacionit antikanabis të realizuar një vit më parë në Lazarat, pritet të arrestohen edhe 30 persona të tjerë.
(el.sp/BalkanWeb)
