TIRANE-Grupi parlamentar i PSsë shmangu dje, diskutimet për kritikat e fundit të deputetit Ben Blushi. Kryeministri Edi Rama mungoi në mbledhjen e përjavshme të grupit, ndërsa vetë Blushi ishte i pranishëm. Pas mbledhjes, deputeti iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke thënë se në mbledhje nuk kishte pasur asgjë për të thënë, sepse ajo ishte mbledhje proceduriale. I pyetur se a ka reflektuar qeveria për kritikat që i ka bërë Blushi, ai u përgjigj se kjo është një pyetje që u duhet bërë drejtuesve të partisë dhe qeverisë. “Po, kjo nuk është punë për mua, unë nuk kam ndonjë reflektim”, u shpreh Blushi pas pyetjes së gazetarëve. Ai u pyet nëse i ka ngritur edhe në mbledhjen e grupit këto shqetësime që ka thënë publikisht. “Jo, sot ka qenë një mbledhje proceduriale, nuk ka pasur ndonjë gjë për të thënë”, – u shpreh dje Blushi, pas mbledhjes. Deputeti socialist Ben Blushi, i vetmi zë kritik brenda PS-së, është shprehur publikisht kohët e fundit për të gjitha pakënaqësitë e tij, për mënyrën se si po drejtohet partia dhe se si po qeveriset vendi. I pyetur gjatë emisionit “Opinion”, Blushi tha javën që shkoi, se këto shqetësime ai i ka thënë sa herë ka pasur mundësi edhe në forume, por aktualisht nuk ka forume në PS. “Ka një kryetar që zgjidhet një herë në 4 vjet. Sigurisht, ka një grup parlamentar dhe ka strukturat poshtë. E di ti që këto nuk janë mbledhur që nga dita që kemi ardhur në pushtet?! Dhe thonë ‘pse flet’?! Po ku të flas?! Do të shkoj të kap për mënge kryetarin? Kryetari ka 6 vjet që nuk zgjidhet”, – tha Blushi. Ndërsa ai e ka cilësuar të dështuar “Rilindjen” e lançuar nga Rama, kur erdhi në qeverisje. “Rilindja po sillet si një parti brenda partisë”, – tha Blushi.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: