TIRANË- Pavarësisht akuzave e kundërakuzave në distancë, Kryeministri Edi Rama është shfaqur krah për krah me kreun e bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu mbrëmjen e sotme. Ai ka parë nga afër situatën në Kamëz në zonat e përmbytura dje duke i kërkuar informacion kreut të bashkisë Kamëz Xhelal Mziu.

“Pasi të kalojë kjo faza e krizës duhet t’i shikojmë me kujdes këto pika për të nxjerrë detyrat që në ta ardhmen të mos përsëritet më në këto pika, të paktën për këto arsye”, tha Rama.

Mziu rama 2

Ndërsa Mziu tha se ekzistojnë edhe projektet për dy kolektorët. “Unë mund t’ju sjell edhe projektet e këtyre dy kolektorëve për t’i parë ekspertët se a e zgjidhin situatën”.

Mes të dyve ka vijuar biseda edhe për eskavatorin që Kamza nuk e ka marrë kur morën 61 bashkitë. “Ju nuk morët eskavator”, ka pyetur Rama. “Jo nuk morëm”, u përgjigj Mziu.

Rama ka takuar edhe pjesëtarë të FA-ve dhe mirëmbajtjes së rrugëve që po punonin duke i përgëzuar për punën e bërë.

“Pasi të kalojë kriza do merremi me kujdes me pikat më nevralgjike për të bashkëpunuar që t’i dalim përpara në të ardhmen. Reshjet kanë qenë të larta. Unë pashë edhe rezultatet e instituteve që i jepnin në nivel më të lartë se 2015, por dëmet janë më të vogla”, tha kryeministri. Nuk ka munguar as një falënderim për Mziun dhe një shtrëngim duarsh. “Shumë faleminderit kryetar edhe forca”, tha Rama.

Rama i jep doren Mziut

“Vazhdon puna pa orar e as ndalesë për të lehtësuar peshën e familjeve të prekura dhe për të përballuar një natë të vështirë posaçërisht në jug të vendit, ndërkohë që edhe në pikat kritike të Tiranës, si këtu në Kamëz, po punohet non stop në bashkëpunim të ngushtë pa dallime partiake për të bërë më të mirën e mundshme. Ndjesë dhe sigurisht mirënjohje për bashkëpunimin e banorëve që kanë qenë apo do të jenë të detyruar të lëvizin nga shtëpitë e tyre?”, shkruante Rama më herët në “Facebook”.

Mziu-Rama

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb