TIRANE- Xhelal Mziu që synon të fitojë një tjetër mandat krye të Bashkisë së Kamzës, premtoi punësim, urbanizim dhe gjelbërim për këtë zonë.

Duke e cilësuar hakmarrëse qeverinë Rama, Mziu i premtoi Bashës një fitore tjetër të së djathtës në zonën e Kamzës dhe Paskuqanit.

“Jam i privilegjuar për të qenë kandidat dhe kryetar i Kamzës, jam krenar se jam banor i Kamzës, i Bathores se kam qenë anëtar i PD që në themelim. Në këto 8 vite Kamza ka ndryshuar, ka objekte ndërtimore, standard urbanizimi. Kam treguar se di të bashkëpunoj me qytetarët e mi. Unë e kam ndryshuar Kamzën dhe Paskuqanin. Edhe pse ne oponencë me qeverinë kam bërë investime me fondet e bashkisë së Kamzës”, tha ai.

Duke iu drejtuar popullit të Kamzës, Mziu shtoi: “Bashkëqytetarët e mi, unë kam platformë të qartë urbanizimi. Kamzës dhe Paskuqanit do i shtohen më shumë rrugë, shkolla, qendra shëndetësore. Qyteti im ka nevojë për gjelbërim. Kamza ka nevojë për punësim, kam treguar në 8 vite që e kam zhvilluar biznesin për shkak të uljes së taksave”.

Ndërsa duke akuzuar kreun e qeverisë se nuk ka mbajtur premtimet e dhëna, Mziu shtoi: “Nga ky shesh ai kryeministër premtoi legalizime falas, askush nuk ka marrë legalizime, ky kryeministër premtoi 300 mijë vende pune po rriti taksat dhe falimentoi biznesin…Në Kamzë e Paskuqan me qindra njerëz janë në burg se kanë tentuar të rregullojnë tjegullat. Ai është hakmarrës ndaj Kamzës e Paskuqanit, por ne jemi shumica, ne kemi qenë bastioni. Binomi Kamza dhe Paskuqani do sjellë mandatin e parë në Tiranë, do i japim humbjen e parë të thellë qeverisë”,- nënvizoi Mziu.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: