TIRANE– Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar një histori me dy qen, për t’i lënë kreut të qeverisë të kuptojë, se sa më shumë t’i thuash dikujt të mos flasë, ndodh e kundërta. “Në shtëpi kishim 2 qen, njërin e mbanim me rrethore. Nuk kishte ujk që i afrohej. Kishim edhe një këlysh që lehte gjithmonë. Dilja dhe i thosha kuç mos leh. Por nuk i thuhet këlyshit mos leh se ai leh më shumë”, tha Berisha.

Por fill pas kësaj, ka reaguar kryeministri Rama, i cili tha se me këtë histori, Berisha ka treguar se “e ka nevojë të brendshme të paturit të një qeni për t’ua turrur të tjerëve”.

“Sot na ke ndihmuar të kuptojmë pse i thua “ssstt kape” atyre që i hedh në betejën qorre të luftës politike. E paske nisur me qenin e shtëpisë këtë punë, dhe paske patur nevojë të brendshme të kesh qen që t’ia turrësh të tjerëve”, tha kryeministri Rama.

Sakaq, kreu i Qeverisë i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Berisha, sa i takon dosjes “Tahiri” dhe dosjes “Xibraka”.
Në fjalën e tij, Berisha tha se çështja “Tahiri” do të jetë kusht kryesor për integrimin europian të vendit.
“Tahiri të kërcënoi, solli Gazin në mesnatë. Ndërsa ju çuat Brahon tek Qato. Këto lidhje të tuat me krimit, i ke nga unë apo nga vetja jote? Unë po t’i shtoj këto? Çështja Tahiri do të jetë kusht kryesor për integrimin. Kur na e thonë ne opozitës, ju garantoj se atij ia thonë tre herë më shumë. Po pse e mban Tahirin ai? Sepse mban veten e tij. Çështja “Habilaj” është tjetër gjë, por dosja “Xibraka” është shumë e madhe. Olsi Rama ka lëvizur 5 herë me makinën e transportit të kokainës. Je aq i zhytur sa s’të mbron dot njeri”, tha Berisha.

Në përgjigje, kryeministri Rama tha se:

“Të jesh i sigurtë që kur akuzon pa fakt, o i ke bërë, o i aludon. Dhe kaq mund të them sa herë ti merr nëpër gojë librin e shtëpisë të kundërshtarëve të tu. O i ke bërë vetë, dhe mendon se të gjithë janë si ty, o të shkon mendja t’i bësh vetë. Se një burrë sa ty, ç’rëndësi ka sa je, se ti nuk ke moshë, merr nëpër gojë çdo njeri që i del para. Kjo është punë për ty, nuk merrem me akuzat e tua.
Fole për partnerët europiane, dhe the se çfarë na thonë ne ata. E di çfarë thonë ata. Thotë diçka për të cilën mua më vjen shumë zor, më thonë “Nuk mund ta duam ne Shqipërinë, më shumë sesa e do opozita juaj. Më thonë si është e mundur që opozita juaj nuk e kupton situatën në të cilën ndodhet vendi, dhe nuk jep asnjë kontribut”.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb