Bernard Berisha është njeriu i momentit te skuadra e Skënderbeut, është futbollisti që çdo trajner do të dëshironte ta kishte në organikë. Në Kukës nxori Smajlin me karton të kuq si dhe dha asistin për golin e Lilajt që vendosi sfidën, ndërsa ndaj Teutës shënoi golin e tretë në fitoren 4-2 të formacionit të Mirel Josës. Vetë 23-vjeçari e veçon finalizimin ndaj “Djemve të Detit” si momentin më të rëndësishmin, pasi ai sukses e çoi 5 pikë diferencën me Tiranën.
“Mendoj se goli me Teutën ishte më i rëndësishmi, sepse fituam dhe u shkëputëm nga Tirana”, tha Berisha për “Superspot”. Titulli për të pestin vit radhazi ka marrë rrugën drejt Korçës, mirëpo dëshira e Berishës është që trofeu i kampionit të sigurohet matematikisht në takimin e kësaj fundjave me Tiranën. “Ne duam që të shkojmë të qetë në dy ndeshjet e fundit, prandaj synimi ynë është të fitojmë me Tiranën. Gjithsesi, e rëndësishme është të mos humbasim”. Në fund të sezonit, përfundon edhe kontrata e Berishës me Skënderbeun, por ky nuk është momenti i duhur për të folur për të ardhmen.
(d.d/j.s/BalkanWeb)
