TIRANE– Presidenti Ilir Meta ka akorduar sot gradën diplomatike për diplomatin e karrierës Ilir Boçka si dhe i ka dorëzuar të njejtën gradë të akorduar më herët nga Presidenti Nishani një tjetër diplomati karriere, si Dashnor Dervishi.

Grada “Ambasador” i jepet këtyre dy emrave të njohur të diplomacisë shqiptare për kontributin e tyre.

Dashnor Dervishi dhe Ilir Boçka janë të parët diplomatë që e marrin zyrtarisht këtë gradë në periudhën post-regjimit.

Në ceremoninë e posaçme të mbajtur për nder të tyre në Ministrinë e Jashtme ishin të pranishëm personalitete nga fusha të ndryshme të vendit.

Ilir Boçka, diplomati i karrierës i cili aktualisht është ambasador në Beograd, ka përfituar gradën personale “Ambasador” nga presidenti Ilir Meta.

Emri i Ilir Boçkës, për të përfituar këtë gradë, është dorëzuar në Presidencë nga ana e Ministrisë së Jashtme që në vitin 2016, por Presidenti i kohës Bujar Nishani, vendosi të miratonte vetëm emrin e Dashnor Dervishit për të përfituar këtë gradë, duke refuzuar emrin e ambasadori Boçka.

Sipas ligjit për Shërbimin e Jashtëm, diplomatët e karrierës e përfitojnë gradën “Ambasador” pasi të kenë fituar njëra pas tjetrës të gjitha gradat diplomatike, dhe të kenë qenë në detyrën e kreut të misionit diplomatik të paktën dy funksione, por jo më pak se gjashtë vjet gjithsej.

Dhe më pas, ministri i Punëve të Jashtme, bazuar në rekomandimin e Komisionit të Karrierës Diplomatike, i propozon Presidentit të Republikës dhënien e gradës personale “Ambasador” diplomatit të karrierës që përmbush kriteret e parashikuara në pikën 6 të ligjit.

Ilir Boçka ka një karrierë në shërbimin e jashtëm që në vitin 1981 duke pasur pozicione drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në shtete të ndryshme dhe organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Dashnor Dervishi cilësohet si një nga diplomatët që ka dhënë një kontribut të madh në diplomacinë shqiptare. Në vitin 1988 Dashnor Dervishi u emërua ambasador i Shqipërisë në Itali, post që e mbajti deri në vitin 1992, duke hyrë në histori edhe si ambasadori i fundit i Shqipërisë komuniste në Itali. Në dhjetor të vitit 1998, Dashnor Dervishi u emërua ambasador Fuqiplotë i Shqipërisë në Izrael, post të cilin e mbajti deri në vitin 2003. Që nga viti 2003 e deri në vitin 2005, Dashnor Dervishi punoi si drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale në Ministrinë e Jashtme. Në vitin 2006 Dervishi u emërua ambasador Fuqiplotë i Shqipërisë në Rumani e më pas në Greqi.

AMBASADORI DASHNOR DERVISHI: DUHEN ME SHUME STIMUJ MORALE NE SHERBIMIN E JASHTEM
Fjalën e tij para të pranishmëve ambasadori Dervishi e ka nisur me vitin që ka shumë domethënie për të dhe karrierën e tij, vitin 1976, i cili shënoi edhe nisjen e punës në shërbimin e jashtëm. Dervishi ka folur për punën e tij dhe sfidat përgjatë këtyre viteve në shërbimin e jashtëm.

“Marrëdhëniet me fqinjët mbeten kryesore, fqinji ynë jugor zë vendin e vet. Historia vazhdon”, tha ai.
Sakaq, ai përcolli një mesazh edhe ambasadorët në detyrë, dhe ata që shërbejnë në këtë fushë.

“Dikur ambasadori ishte emblema e shtetit, sot ka mbetur shumë pak nga e kaluara, por kjo ndodh në gjithë vendet. E kjo është normale me hapjen e kufijve, integrimin, etj. Njohjet dhe kontaktet e politikanëve tanë me homologët në botë bën që të anashkalohet roli i ambasadorit”- tha ai, duke kërkuar stimuj moralë, që sipas tij kanë munguar në këto vite.

Ambasador Dervishi e mbylli fjalën me një falënderim dhe mirënjohje për ministrin e Jashtëm, Bushati.

AMBASADORI ILIR BOCKA: VLERËSIM PËR PROFESIONIN E DIPLOMATIT SI MBROJTËS I INTERESAVE TË SHTETIT
Ambasadori Ilir Boçka i cili ka marrë sot gradën diplomatike, shprehu mirënjohje për të gjtiha ta që kanë kontribuar në arritjet e tij në fushën e shërbimit të jashtëm. “Jam inkandeshent, është si të marrësh OSCAR për karrierën”, tha Boçka në nisje të fjalës së tij, duke falënderuar ministrin dhe Presidentin Meta që e realizoi iniciativën për gradën.

“Ky titull është vlerësim për profesionin e diplomatit si mbrojtës i interesave të shtetit dhe shtetasve, gjithandej ku kemi përfaqësi diplomatike. Ky titull është pronë e gjithë kolektivit, pasi secili ka kontribut në arritjen time dhe sjell në mendje edhe ata që nuk janë më”, tha ai, duke u dhënë një mesazh kolegëve.

“Kjo ditë vjen shpejt, prandaj punoni sa më fort”, tha ai në mbyllje të fjalës. Ilir Boçka ka një karrierë në shërbimin e jashtëm që në vitin 1981 duke pasur pozicione drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në shtete të ndryshme dhe organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb