TIRANË-Partia Demokratike po ndjek me shqetësim të thellë situatën në Maqedoni në zonën e Kumanovës. “Lajmet se si pasojë e konfliktit kanë humbur jetën disa persona, midis tyre edhe fëmijë, janë thellësisht tronditëse. Fakti se konflikti po zhvillohet në një zonë të populluar mbart rrezikun e lëndimit apo dëmtimit të civilëve të tjerë.”- thuhet në reagimin e PD-së.

Partia Demokratike thekson se dhuna dhe mjetet e forcës janë rruga më e gabuar për të zgjidhur problemet. “Partia Demokratike u bën thirrje autoriteteve maqedonase të garantojnë jetën dhe pronën e popullatës civile. Përdorimi disproporcional i forcës është i dëmshëm. Partia Demokratike i kërkon popullatës shqiptare dhe faktorit politik shqiptar në Maqedoni, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të shmangin provokimet. Stabiliteti dhe integrimi Euroatlantik i Maqedonisë është interes jetik i qytetarëve të saj. Respektimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit është një rrugë e sigurt drejt këtij qëllimi.”- përfundon reagimin PD.

(a.n/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: