TIRANE- Avokati Spartak Ngjela ka bërë sërish paralajmërimin e tij për ‘frytet’ që do të japë zbatimi i reformës në drejtësi për arrestimin e të ashtuquajturve ‘peshqit e mëdhenj’.

Në studion e emisionit ‘Kjo javë’ në “News24” Ngjela theksoi se brenda muajt marsi do të jetë lëvizje, duke shtuar se shenjat flasin që këta ‘peshq’ do të dorëzohen, shkruan ‘BalkanWeb’.

“Ligji thotë se marsi është koha e kapjes së ‘peshqve të mëdhenj’. Po problemi është se kanë bllokuar SPAK-un. SPAK-un e nxjerr Kushtetua. Është Prokuroria Speciale, Gjykata Speciale dhe Byroja Kombëtare e Hetimit që bëjnë SPAK. Nëse këto nuk zhbllokohen, nuk fillon dot lufta kundër krimit. Por shenjat janë që do të dorëzohen, ka shumë gjasa që brenda marsit”, tha Ngjela.

Po ashtu Ngjela theksoi se janari do të japi testin e parë të reformës në drejtësi, që janë gjyqtarët dhe prokurorët.

Ai shtoi mes të tjerash se: “Korrupsioni i niveleve të larta ndër vite, të gjithë kryeministrat, përveç Majkos, kanë qenë të korruptuar. Një denoncim ndërkombëtar që kërkon zgjidhje dhe Amerika thotë; ‘do t’i japë zgjidhje’. Se nëse nuk gjen zgjidhje, do të dështojë politika amerikane. Nëse nuk zbatohet reforma në drejtësi, dështon politika amerikane. Nuk e nxjerr Ramën në rang të dytë për akuza, por ai ka maxhorancën në dorë. Pa të nuk bëhet reforma (maxhorancën). Berisha është i frikësuar nga reforma në drejtësi. Kur shohim interesimin e ambasadorit amerikan në Shqipëri, kuptohet që ka të bëjë me interesa shqiptar. Këta (Politika shqiptare) janë të trembur nga reforma. Shqiptarët që po vuajnë nga një varfëri ekstreme dhe kanë një shpresë, ndërsa me ta po kërkohet aleancë. Reforma do të japë efekt 100 %. Tre provincial që s’kanë vlerë në politikën botërore s’mund të rrëzojnë politikën ndërkombëtare. Janari do të japi testin e parë, që janë gjyqtarët dhe prokurorët.”, tha Ngjela.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: