MAQEDONI- Liderët e 4 partive më të mëdha politike në Maqedoni janë mbledhur ditën e sotme për të diskutuar për situatën e krijuar në vend. Në këtë takim të realizuar me iniciative të Presidentit të vendit, George Ivanov, janë të pranishëm drejtuesit e 4 partive më të mëdha politike në Maqedoni. Në përfundim të takimit, krerët e VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH miratuan një Deklaratë të Përbashkët.
Agjencia maqedonase e lajmeve “INA” bëri të ditur se në deklaratën e shkurtër të shpërndarë për mediat thuhet se, “në një javë të vështirë për shtetin u takuam për t’i dhënë përkrahje të përbashkët vlerave demokratike, përfshirë të drejtën e protestës dhe dënimin e dhunës, pavarësisht a është për qëllime kriminale apo politike”.
“Ne gjithashtu u pajtuam të vazhdojmë me dialogun për hir të avancimit të agjendës euroatlantike për të mirën e të gjithë qytetarëve”, përfundon deklarata e përbashkët e liderëve të katër forcave kryesore në vend.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi kanë biseduar ndaras gjatë takimit të liderëve të partive në Maqedoni.
Për disa minuta ata kanë qëndruar bashkë dhe kanë biseduar në tarracën e restorantit të Klubit të Deputetëve në Shkup, ku po zhvillohet takimi i liderëve të katër partive kryesore VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ambasadorët e SHBA-ve dhe ai i BE-së në Maqedoni.
I pari në takim arriti lideri i VMRO-së Nikolla Gruevski, e më pas Zoran Zaev.
Medias vendase dhe ato të huaja kanë shprehur një interes të madh për këtë takim, i cili vjen në një situatë mjaft të tensionuar në Maqedoni.
(el.sp/BalkanWeb)
