TIRANE- Vonesat në rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo gjobat e vendosura nga administrata tatimore për ato biznese që kanë faturuar me NIPT-e pasive kanë qenë dy nga problematikat kyçe të ngritura në takimin organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë me Drejtoren e Përgjithshme të Tatimeve, Vasilika Vjero. Rimbursimi i TVSH-së edhe pse ka vite që lakohet si një proces i lehtësuar, madje në mandatin e kaluar u bënë një sërë ndryshimesh thelbësorë që synonin këtë objektiv duket se ende mbetet pengesa më e madhe e bizneseve sidomos për ata fason.

Bizneset u shprehën se asnjëherë nuk zbatohet afati i rimbursimit i përcaktuar në ligj, ndërkohe që kjo vonesë lidhet si me hallkën e vlerësimit ashtu edhe me pjesën e pagesës nga ana e Thesarit. Biznesi fason u shpreh se në disa raste kishin që nga muaji prill apo maj i vitit të kaluar që nuk kanë përfituar rimburismin të cilin e kanë kërkuar pranë administratës tatimore.

Drejtorja Vjero nga ana tjetër nënvizoi se kërkesat për rimbursim kanë qenë në rritje të vazhdueshme ndërkohe që në shumë raste janë bërë kërkesa të pasakta çka sjell edhe vonesa në gjithë procesin final të rimburisimit.

Afatet ligjore të rimbursimit
Referuar ligjit rimbursimi për tatimpaguesit jo-eksportues (kriteri ligjor që duhet plotësuar: TVSH e zbritshme më e madhe se 400.000 lekë, e mbartur për tri periudha të njëpasnjëshme), kryhet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nëpërmjet sistemit të Thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Financave. Kërkesa për rimbursim i nënshtrohet procedurës normale të rimbursimit duke iu nënshtruar analizës se riskut për rimbursim.

Për tatimpaguesit eksportues ose personat e tatueshëm që rieksportojnë mallrat joshqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv në Republikën e Shqipërisë që plotësojnë një seri kushtesh mbi vlerën e eksporteve apo kohëzgjetjen e aktivitetit rimbursimi kryhet automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero

Gjobat për faturat me NIPT-e pasive
Një tjetër problematikë e ngritur nga biznesi është ajo e gjobave të vendosura nga administrata tatimore pasi janë konstatuar me lëshim fature nga një NIPT pasiv. Por sipas bizneseve këto gjoba janë të padrejta pasi ata nuk kanë qenë të informuar që NIPT-i i tyre kishte kaluar në listën pasive dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur të bëjë një përditësim të rregullt të saj vetëm nga muaji tetor e në vazhdim./monitor/

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb