Pas Pakult, trajner i Kukësit, një tjetër austriak po projektohet të marrë drejtimin e një skuadre shqiptare. Burime brenda klubit të Partizanit pohojnë se Walter Schachner do të jetë tekniku i ardhshmë i të kuqve.
Ish-futbollisti i mjaft skuadrave të njohura si Austria Vjenë, Sturm Graz, Crvena Zvezda, Torino e Salzburg, në një kohë jo shumë të largët do të marrë drejtimin e kryeqytetasve.
Më herët është projektuar që Walter Schachner t’i bashkohet skuadrës në verë, por situatat e fundit në kampin e kuq, ku rezultatet nuk janë ato që priteshin, kanë bërë drejtuesit që të mendojnë për afrimin e tij që në ditët e ardhshme.
Ndërmjetës për këtë marrëveshje është bërë Marian Prela, i njëjti që ka sjellë Pakult te Kukësi, raporton Jeton Selimi për “BalkaWeb”.
Ndërkohë që Walter Schachner si trajner ka drejtuar Austrinë e Vjenes, GAK, 1860 Mynchen dhe disa skuadra të tjera. Për futbollin shqiptar ai nuk është edhe aq i panjohur pasi ka luajtur kundër kombëtares kuqezi me Austrinë si dhe ka drejtuar GAK-un në dy ndeshje të turit të dytë në Ligën e Kampioneve kundër Tiranës në vitin 2004.
Në atë kohë bardheblutë u mundën 5-1 në “Qemal Stafa” dhe 2-1 në transfertë.
Lajmi është pasqyruar edhe në mediat austriake

(e.k/BalkanWeb)
