TIRANË-Një 37-vjeçar ka rënë në pranga, pasi akuzohet si autor i disa vjedhjeve. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Eragon Aliay, lindur në Vlorë dhe banues në Izrael (me pasaportë Izraelite).
Të njëjtat burime theksuan se ka qenë një punonjës i njësisë Shqiponja ai që ka sinjalizuar forcat policore, ndërsa u bë e mundur arrestimi i 37-vjeçarit në Paskuqan.
NJOFTIMI I POLICISË
Vjedh me forcë 8 aparate celular në një dyqan dhe largohet me vrap. Ndërhyrja e menjëherëshme e një punonjësi të Repartit Special “Shqiponjat” që po shkonte në shërbim, dhe mbërritja në kohë e partullave të policisë bëri të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 8 aparate celular që autori mori me forcë në dyqan. Më datë 29.01.2018, rreth orës 11:00, në Paskuqan, shtetasi Eragon Aliay është futur në dyqan celularësh të një kompanie dhe pasi ka shtyrë shitsen me forcë ka marrë 8 aparate celular dhe është larguar me vrap.
Shitësja e dyqanit ka njoftuar Policinë në numrin 112, ku në drejtim të adresës së dhënë janë nisur menjëherë shërbimet policore si dhe skuadra “Shqiponjat. Në afërsi të vedit të ngjarjes ishte duke lëvizur në këmbë për të shkuar në punë edhe një punonjës policie i Reparit Special Shqiponjat, i cili porsa ka parë shtetasin e lartpërmendur që po vraponte dhe shitsen e dyqanit që po kërkonte ndihmë është vënë menjëherë në ndjekje të tij. Shtetasi Eragon Aliay kur ka parë se po e ndiqte punonjësi i Policisë ka hedhur në rrugë aparatet celularë dhe ka vijuar lëvizjen me vrap por që është kapur nga punonjësi i policisë ku në ndihmë të tij mbërritën edhe dy patrulla të Policisë, të cilët bënë shoqërimin e tij për në Komisariatin e Policisë Nr 5 Tiranë. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Eragon Aliay, 37 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Izrael, (me pasaportë Izraelite). Grupi hetimor sekuestroi në cilësinë e provës materiale 8 aparate celular. Shtetasi lartpërmendur kishte hyrë në Shqipëri dy javë më parë dhe sipas informacioneve nuk kishte destinacion final por endej rrugëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
(ed.me/BalkanWeb)
