BERLIN- Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Gjermani, në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel, tha se Turqia pret mbështetje më të madhe nga miqtë në luftën kundër terrorizmit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Është i qartë sensibiliteti ynë në marrëdhëniet Turqi-Gjermani. Bëhet fjalë për organizatën terroriste PKK, organizatën terroriste PYD/YPG. Në fakt, YPG është degë e PYD/PKK-së në Siri. Këtë e thotë edhe Britania, edhe agjencitë amerikane të inteligjencës. Andaj, cilatdo të jenë emrat, synimi i tyre është ta prishin qetësinë në rajon dhe të krijojnë problem të ri. Ne dëshirojmë t’i shohim më afër miqtë tanë teksa zhvillojmë këtë luftë”, tha Yıldırım.
Gjersa vazhdonte konferenca për shtyp, një gazetar i pranishëm në sallë shpalosi disa fotografi për të cilët pretendoi se kanë të bëjnë me operacionin “Dega e Ullirit”, të cilin Turqia është duke e zhvilluar kundër organizatave terroriste në Afrin të Sirisë.
Lidhur me këtë, Yıldırım tha se fotografitë e shfaqura nuk kanë të bëjnë me operacionin, por se i përkasin ngjarjeve të tjera.
“Mos bëj propagandë. Nëse do ta dish se çfarë është duke ndodhur në Afrin, eja atje. Atje do ta shohësh të vërtetën. Këto që i tregova janë fotografi të ngjarjeve të tjera”, tha kryeministri turk.
Duke folur për çështjen e refugjatëve, kryeministri Yıldırım theksoi se çështja e refugjatëve nuk është vetëm çështje e Turqisë, e as çështje e prodhuar nga Turqia, duke shtuar se vendi i tij ka strehuar 3,5 milionë njerëz të cilët janë përpjekur të shpëtojnë nga lufta.
“Çështja e refugjatëve nuk është vetëm çështje e jona, e as çështje e prodhuar prej nesh. Asnjërën prej këtyre çështjeve nuk e kemi nisur ne. Ne përballemi vetëm me rezultatet. Luftën në Siri nuk e nisëm ne. Ne nuk e filluam as valën e refugjatëve, por strehuam 3,5 milionë njerëz që u përpoqën të shpëtojnë. Le ta shohë të vërtetën ai i cili tregoi fotografi të gabuar. E tërë bota e di se çfarë kemi bërë. Prandaj, ne jemi faqebardhë. E dimë atë që e kemi bërë”, u shpreh Yıldırım.
Merkel: Turqia ka të drejtë të mbrojë interesat e veta të sigurisë
Nga ana tjetër, kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se Turqia, si çdo vend, ka të drejtë të mbrojë interesat e veta të sigurisë, duke shprehur shpresën që në këtë kontekst, brenda NATO-s të tejkalohet kriza aktuale tejkalimi midis Turqisë dhe SHBA-ve.
Duke folur në konferencën e përbashkët për media, Merkel shprehu kënaqësinë e saj të thellë për deklaratën kryeministrit turk, i cili tha se Turqia është e gatshme të bëjë çdo përpjekje që të zgjidhen problemet në marrëdhëniet dypalëshe me Berlinin, duke theksuar se hap pas hapi do të zgjidhen të gjitha problemet që kanë pasur gjatë muajve të fundit.
Ajo gjithashtu tha se gjatë takimit kanë diskutuar për tentativën për grushtit shteti në Turqi në korrik të vitit 2016, duke shtuar se hetimi ndaj përgjegjësve të kësaj tentative duhet të zhvillohet në përputhje me sundimin e ligjit.
Merkel theksoi se është diskutuar edhe për çështjen e lirimit të shtetasve gjermanë që janë në paraburgim në Turqi për krime politike.
Ajo vuri në dukje se Qeveria e Turqisë është duke kërkuar pagesën e rregullt të ndihmës financiare të premtuar nga Bashkimi Evropian (BE) për refugjatët sirianë në Turqi.
Ajo theksoi se i ka premtuar homologut turk Yıldırım të diskutojnë brenda BE-së çështjen e pagimit të shumës prej tre miliardë eurosh dhe tre miliardë eurove shtesë. Kancelarja gjermane theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve me Turqinë, ruajtjen e vlerave të përbashkëta dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
(m.k/BalkanWeb)
