DURRES- Pak orë pak aksidentit tragjik, ku një nënë e re, 34-vjeçarja Edlira Pisku dhe vjehrri i saj 69-vjeçari Xhemil u përplasën për vdekje, ndërsa u plagos edhe djali i Edlirës 8-vjeçar mësohet se kush ishte drejtuesi i “Toyota”-s që i përplasi.

Ndonëse fillimisht policia deklaroi që drejtuesja e mjetit ishte një femër, një burim pranë policisë së Kavajës konfirmon për gazetaren Klodjana Haxhiaj dhe “BalkanWeb” se ngjarja ishte krejt ndryshe.

Sipas tij, vajza e identifikuar si Ilda Parroj nuk ka qënë drejtuese, por e dashura e shkaktarit të aksidentit tragjik, shtetasit Halil Koka 40-vjeç. Ky i fundit madje është edhe pa patentë, pasi i ishte hequr pak ditë më parë nga policia.

Ky i fundit, siç thotë i njëjti burim, i ka kërkuar të dashurës të marrë fajin me pretendimin se do ta ndihmonte. Por dëshmitë e marra nga policia e Kavajës në vendngjarje tregonin tjetër gjë.

Dëshmitarët i kishin thënë policisë se ishte një mashkull ai që drejtonte makinën. Pas dyshimeve, policia i shoqëroi të dy të rinjtë në komisarit dhe i mori në pyetje për disa orë.

Nuk dihet se kush prej tyre, djali apo vajza treguan të vërtetën, por tashmë ata janë të dy nën akuzë, Koka si shkaktar i një aksidenti me pasojë vdekjen dhe e dashura e tij për dëshmi të rreme.

NJOFTIMI I POLICISE
Ne vijim të punës hetimore, Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë në bashkëpunim me Prokurorine kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit tip “Toyota” shtetasin Halil Koka, 40 vjeç, banues në Durrës.

Pas disa veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë dokumentuar se ishte ky shtetas drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin rreth orës 07:40 tek Mali i Robit, ndërsa shtetasja I.P., rezultoi se ishte pasagjere në këtë mjet, megjithese në deponimet e para në vendngjarje deklaroi se e drejtonte ajo mjetin kur ndodhi aksidenti.

Materialiet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprime të mëtejshme.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb