BERAT– Në Urën Vajgurore ka përfunduar edhe faza e parë e projektit të Mbrojtjes Lumore, me rehabilitimin e digave dhe zonës përreth lumit. Kjo bëri që për herë të parë pas shumë vitesh, banorët në këtë zonë të mos përmbytën, ndonëse reshjet ishin intensive. Tashmë ka filluar edhe faza e dytë e projektit, gjelbërimi dhe rikthimi në një hapësirë rekreative, me fusha sporti e kënde lojërash për fëmijë. Ndërkohë që janë mbjellë njëmijë pemë, vazhdon mbjellja e 450 pemëve të tjera.

Kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgure, Juliana Memaj shpjegoi projektin: “Gjithë kjo sipërfaqe, në të cilën ne do të bëjmë edhe mbjelljen me pemë është pjesë e fazës e dytë të projektit të mbrojtjes lumore. Faza e parë përfundoi. Edhe pse reshjet kanë qenë shumë intensive këtë dimër, familjet këtu pranë nuk patën përmbytje. Faza e dytë, përveç se ka rehabilitim, ka zona atraktive me fusha sporti, me kënde lojërash për fëmije, ndriçim. Me Rilindjen Urbane kemi bërë 8 qendra të reja urbane dhe kemi përfunduar projektet për 23 fshatra nga 33 fshatra gjithsej që shtrihen në territorin e bashkisë sonë. Kemi bërë të mundur shtimin e zonë së gjelbër me 20 mijë metra katror.”

Duke shfrytëzuar praninë e Kryeministrit, banorët i shprehën edhe problemet që u krijohen si pasojë e guroreve në Skrapar, duke përshëndetur vendimin për mbylljen e tyre.

“Problemi, – tha një prej banorëve, – ngelen ato guroret, këto na prishin shumë punë. Me tymin e makinat që kalojnë në zonën tonë, në zonën e Guri Bardhit, e kemi shumë problem me to. Ishte një vendim i saktë për guroret që u mbyllen në Skrapar, ku ishin.”

Kryeministri Rama siguroi se çdo sipërmarrje në nxjerrjen e gurëve duhet të zbatojë të gjitha standardet e kontratave, sipas të cilave, një pjesë të fitimit t’ia dedikojnë gjelbërimit dhe mjedisit.

“Kur erdhëm këtu 3 vjet më përpara ishte një katastrofë, ishte futur lumi nëpër shtëpi dhe ndodhte çdo vit. Çështjen e përmbytjeve të përvitshme e mbyllëm. Sot po mbjellim pemët. Do ta kthejmë të gjithë këtë hapësirë, në një hapësirë parku për qytetin, plus dhe terrenet sportive, këndet për të moshuarit, kënde për fëmijët dhe ndërkohë kemi filluar edhe atë sulmin e vonuar për mbylljen e gurorëve. Mbyllëm guroret në malin e Tomorit, do të vazhdojmë të mbyllim të gjitha guroret që nuk zbatojnë standardet. Guroret duhet të jenë brenda të gjithë standardeve, që nga faza kur jepet leja deri tek faza kur vazhdojnë shfrytëzimin dhe mbi të gjitha, kush e shfrytëzon, e shfrytëzon për të marrë gurin për të fituar, por duhet që një pjesë fitimi, siç thotë ligji dhe siç thonë kontratat ta ndajnë me komunitetin për të gjelbëruar, në mënyrë që të mos lëri mbrapa rrënim, siç ka ndodhur malin e Tomorit, siç ka ndodhur rrugës për të shkuar në Krujë, apo siç ndodh këtu. Por të lëri mbrapa park, domethënë, një natyrë të pacenuar. Kështu që hap pas hapi po bëjmë gjera që, në qoftë se do të ishin bërë në kohën e duhur, sot do të ishim duke u marrë me gjera krejt tjera. Unë e di që për një familje, për një njeri, 25 vjet janë shumë, por ne po i bëjmë gjerat me radhe. Sigurisht edhe një pemë për t’u rritur do kohën e vet, s’mund të rritet nga sot nesër. Këtu në këtë komunitetin tënd, pyet se e dinë që unë po thashë një gjë e bëj, kur s’e bëj dot, nuk e them”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb