LEZHË- Qyteti i Lezhës është një nga zonat që rrallë zbardhen nga bora për shkak edhe të afërsisë me bregdetin. Edhe kur ka pasur reshje bore, ato zakonisht kanë zgjatu disa minuta dhe janë shkrirë shumë shpejt. Por duket se kësaj radhe bora e ka marrë shtruar. Gazetari Pjetër Gjini raporton për “BalkanWeb” se edhe pasditen e sotme kanë nisur reshje të dendura bore që kanë filluar të shtrojnë në fusha dhe në qytet.

Lezha pati edhe dje reshje bore që mbërritën madje në bregdetin e Shëngjinit, një situatë jo e zakonshme kjo.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes në bashkinë Lezhë dhe Kurbin ka pasur reshje me intensitet të dobët dhe mesatar, të shoqëruara me erë të fortë. Nga reshjet nuk ka probleme për përmbytje në infrastrukturë dhe në tokat bujqësore. Niveli i ujit në lumenj, kolektorët dhe kanalet kullues, është në kuota normale. Hidrovorët janë në gatishmëri dhe furnizohen normalisht me energji elektrike dhe ata punojnë për të evakuuar ujërat. Në territorin e bashkisë Lezhë ka borë rreth 5-15 cm, por pa probleme për qarkullimin e automjeteve.

Në bashkinë Mirditë ka reshje të dëborës në lartësitë mbi 200 metër me rreth 5-10 cm dëborë, por pa probleme për komunitetin. Sasia më e madhe e dëborës në rreth 20-50 cm, ka rënë në zonat e thella të bashkisë Mirditë, në lartësitë mbi 800 metër, ku ka dhe bllokime të rrugëve, konkretisht:
Në njësinë administrative Fan, në fshatrat Thirrë, Dardhë, Xhuxhë, Lari, Hebe.
Në njësinë administrative Orosh, në fshatrat Lajthizë, Ndërshen, Nënshejt, Gryg Orosh, Bulshar.

Akset rrugore nacionale, Rrëshen-Shpal-Pukë, Rrëshen-Kurbenesh, janë të kalueshme dhe pa probleme, si dhe po hidhet kripë në disa segmente të tyre. Segmenti rrugor Rrëshen-Tuneli Kalimashit i Rrugës së Kombit ka rreth 15-20 cm dëborë dhe është i kalueshëm pa probleme. Firma kontraktore punon me 4 mjete për të siguruar kalueshmërinë normale në rrugë.

Në akset rrugore ka prezencë ngricash për shkak të temperaturave të ulëta. Nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike. Drejtoria e Policisë Vendore është në krye të detyrës për monitorimin dhe drejtimin e qarkullimit rrugor, si dhe ka ardhur në ndihmë të komunitetit për çdo problem që paraqitet.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: