TIRANE- Pas sasisë rekord të kokainës së zbuluar në Portin e Durrësit me vlerë rreth 180 milion euro nëse do të hidhej në treg, “BalkanWeb” zbardh dëshminë e shoferit Armando Pezaku dhe menaxherit Donald Lushaj, të arrestuar brenda ambienteve të firmës “Arbri Garden” shpk me pronar biznesmenin Arbër Çekaj. Si shoferi, i nçnkontraktuar nga një kompani tjetër, ashtu edhe menaxheri kanë moghuar të kenë lidhje me sasinë e kokainës të zbuluar brenda në kontejner.

Shoferi 25-vjeçar që në profilin e tij në Facebook thoshte të ishte punësuar në një firmë për shpërndarjen e miellit “Iu çoj partizanëve miell”, ka thënë se është lajmëruar vetëm për të marrë ngarkesën në port.

“Më njoftuan se ngarkesa erdhi, shkova në port. Vetëm mora kamionin me ngarkesën”,- është shprehur ai.

Përpara policëve edhe menaxheri Lushaj ka thënë se ishte punësuar për tu marrë me aktivitetin e kompanisë, me organizimin e punës e zgjedhjen e kompanisë së transportit, ndërsa s’ka pasur dijeni për kokainën brenda në kamion.
Donald Lusha

Sakaq, burime të “BalkanWeb” bëjnë me dije se Policia e Shtetit po punon intensivisht për të kapur të shpallurin në kërkim, por edhe për të rënë në gjurmët e personave të fuqishëm që mendohet se fshihen pas tyre, e se kanë lidhje të drejtpërdrejt me trafikun e kokainës.

Të njëjtat burime saktësojnë se hetimet pritet të nisin edhe në strukturat e doganës dhe të policisë kufitare, pasi ka dyshime të forta se ka të implikuar edhe në radhët e tyre.

Kamioni brenda të cilit fshihej sasia rekord prej 613 kg kokainë u kap në momentin që mbërriti në porën e firmës porositëse, ndonëse droga u pikas që në portin e Durrësit. Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.

(m.a/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb