NGA RASHELA SHEHU

TIRANE– Rojet e shkollës janë personat që kujdesen për të garantuar për sigurinë në shkolla. Por edhe pse ruajnë institucionet e arsimit publik, ata paguhen privatisht nga bordi i shkollës dhe kontributet që japin nxënësit.

Ndonëse rojet e shkollave nuk pranojnë të flasin para kamerave, ata pohojnë faktin se pagesat e tyre kryhen me kontributet e nxënësve. Pagat që variojnë nga 180 deri 200 mijë lekë të vjetra, ju shpërndahen çdo muaj sipas dakordësisë me drejtorinë e shkollës. Ndërsa ka mes tyre që pohojnë se qëndrojnë në punë edhe më shumë sesa 1 turn.

“Kemi 1 roje tek shkolla. Paguajmë kontribute, japim 1000 lekë nëse jemi vetëm 1 fëmijë në shkollë, ndërsa kur janë 2 fëmijë paguajnë nga 500 lekë”, shprehet një nxënës.

Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj shprehet se një situatë e tillë shtrihet në të gjitha shkollat e vendit. Për “News 24”, Nikollaj rendit disa nga shkeljet e Kodit të Punës në punësimin e rojeve të shkollave.

“Në bazë të Kodit të Punës çdo punonjës duhet të punojë 5 ditë nga 8 orë, ndërsa këtu punohet 7 ditë nga 12 deri 24 orë. Paga minimale është 240 mijë lekë të vjetra, ndërsa asnjë nga rojet e shkollave nuk paguhet mbi 200 mijë lekë. Minimalisht çdo roje duhet të ketë një kontratë me punëdhënësin. Një tjetër problem për rojet e shkollave mbeten edhe kushtet e punës”, shprehet Kol Nikollaj.

Në muajin shkurt të këtij viti kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cilësuan një prioritet sigurinë e fëmijëve në shkolla.

Një projekt pilot pritet të nisë fillimisht në 15 gjimnaze të Tiranës për të zbatuar nismën “Oficerët e sigurisë në shkolla”, që konsiston në punësimin e vajzave dhe djemve të trajnuar për monitorimin dhe menaxhimin e situatave jonormale në shkolla. Po deri atëherë siguria nëpër shkolla është e varur nga rojet e punësuar nga vetë shkollat pa kontrate pune.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb