GJIROKASTER-Policia e Gjirokastrës është njoftuar mbrëmë se 4 alpinistë amatorë rezultonin të humbur. Gazetarja Brikena Metaj raporton për BalkanWeb se alpinistët kishin humbur kontaktet me familjarët e tyre në zonën malore përreth fshatit Selo të Bashkisë Dropull dhe policia kishte nisur kërkimet.
Mungesa e kontaktit me familjarët, vuri në lëvizje policinë e Gjirokastrës dhe me anë të helikopterit u bë lokalizmi i tyre në vendin e quajtur ‘Gështenjat e djegura’.
Sipas dëshmisë, rezultoi se alpinistët ishin shëndoshë e mirë dhe se kishin vendosur ta kalonin natën në mal, ndonëse temperaturat në ato lartësi janë të ulëta. 4 alpinistët janë nga Gjirokastra dhe Dropulli dhe janë dërguar në qendrën shëndetësore të Sotirës. Mësohet se ka qenë një banor i fshatit ai që ka orientuar zjarrfikësen dhe Deltaforce. Ndërkohë ‘BalkanWeb’ ka siguruar momentet nga shpëtimi i 4 alpinistëve.
(d.d/BalkanWeb)