TIRANË- Ish-­kryeministri Sali Berisha akuzon ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin se me qëndrimet e saj po mban krahun e Edi Ramës. Berisha kritikon ashpër deklaratat e mbajtura pak ditë më parë nga ambasadorja e Vlahutin, për thirrjen që u ka bërë të rinjve shqiptarë që të kërkojnë vetë në “Google”, nëse kandidatët e partive politike në zgjedhjet lokale të 21 qershorit kanë rekorde kriminale apo jo.

Në një koment të gjatë të publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, kushtuar procesit të dekriminalizimit, Berisha ngre pikëpytjen nëse ajo ka një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për këtë çështje. “

“Kjo është një deklaratë që nuk ndihmon, madje sjell tym dhe konfuzion dhe çon ujë në mullirin e Edi Ramës, i cili tani, duke iu referuar këtij procesi që ai kurrë nuk i shqipton emrin, do t’ju tregojë shqiptarëve “Googel­in”. Duke dëgjuar një sugjerim të tillë, të lind pyetja: a mos është kjo një “marreëveshje” apo mbështetje që i jepet Edi Ramës, duke ju servirur të rinjve Google si modus vivendi, zgjidhje të kësaj çështje? Nuk e di nëse është apo jo ekzakt, por në rast se është kështu, kjo është një goditje shumë e rëndë për këtë proces jetik. Une them këtë sepse, për disa çështje përfshirë edhe këtë çështje, në takimet me opozitën por edhe të tjera, ambasadorja me njëanshmëri të dukshme, ka mbrojtur direkt ose indirekt, tezat e Edi Ramës. I tillë ka qenë qëndrimi i saj me çështjen Meta, kur ajo përpiqej të paraqiste Doshin, njëlloj si Rama dhe Meta, si njeri që ka kaluar apo do kalojë me PD”,­ shkruan ish­-kryeministri Berisha.

Më tej ai shkruan se pak ditë më parë ambasadorja e BE-­së iu tha shqiptarëve se në rast së partitë politike nuk do të heqin nga listat kandidatet e inkriminuar deri më datë 13 maj, atëherë komuniteti ndërkombëtar do të bëjë publike emrat, ndërsa shton se këtë deklaratë të perfaqësueses së BE­së në Shqipëri njerëzit e besuan dhe priten me interes datën 13 maj, por ndryshe ndodhi sipas tij.

“Po kjo ditë kaloi si një ditë e zakonshme dhe, zonja e nderuar, disa ditë më vonë doli në krah të ministres Nikolla dhe kryetares së KQZ, Luzi, i ftoi të rinjtë në një shkollë që të lexojnë në Google për kandidatin që do votojnë”, ­deklaron Berisha.

Ish-­kryeministri thotë se edhe pse nuk është një praktikë e tij që të komentojë deklaratat e ambasadores së BE-së, qëndrimet janë të njëanshme dhe në mbështetje të Edi Ramës.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: