Nga: DARINA TANUSHI*VORE-Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Luan Sallaku vendosi t’i hyjë garës për Bashkinë e Vorës, pas njohjes nga afër të problemeve të zonës ku ai vetë jeton. Sallaku u shpreh në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, se në vitin e parë të mandatit që ka bindjen se do t’i besohet nga qytetarët e Vorës do të mbyllë të gjitha veprat infrastrukturore të lëna në mes. Po kështu ai shprehet se një nga prioritetet është bujqësia, ndaj premton se në vitin e parë të mandatit do të krijojë shoqatën e fermerëve dhe unionin e bizneseve të Bashkisë Vorë si dhe do të ndërtojë një pikë grumbullimi të produkteve bujqësore.
Zoti Sallaku, ju jeni kandidati i koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane që synoni të merrni mandatin për drejtimin e Bashkisë së Vorës. A mund të na bëni një biografi tuajën, nga vini, formimi juaj?
Unë vij nga fusha e biznesit. Vij nga një familje e madhe, me tradita të vjetra, nga Shqipëria e Mesme. Mamaja ime është me origjinë nga Peza, babai nga Shijaku. Jam i arsimuar në Ekonomi Agrare dhe aktualisht kam ndërtuar biznesin tim me reminetancat nga Italia, nga fusha e ndërtimit, ku unë kam punuar me kompani ndërtimi. Me këto të ardhura kemi ndërtuar biznesin këtu dhe punojmë bashkë me vëllezërit. Jetojmë dhe punojmë bashkë me vëllezërit.
Pse vendosët të kandidoni për kryetar të Bashkisë së Vorës?
Unë kam qenë me bindje të djathta dhe e kam votuar dy herë kryetarin aktual që drejton Bashkinë e Vorës, por duke parë që ai është shumë naiv në marrëdhënie me publikun dhe me shërbimin që ofron, na u krijua mundësia dhe besimi nga koalicioni Aleanca për Shqipërinë Evropiane që të marrim përsipër përgjegjësitë për administrimin vendor për vitet 2015-2019. Kjo, jo vetëm për të qenë një kryetar, por për të realizuar gjithë ato mundësi dhe shërbime të munguara për të gjithë komunitetin. Edhe unë jam pjesë e komunitetit ku banoj dhe jetoj. Duke parë që mungojnë shumë shërbime, mungojnë shumë investime publike, mungojnë shkolla, kopshte, çerdhe, parqe publike, lulishte, fusha sporti, të cilat janë premtuar në çdo fushatë një herë në katër vjet, vendosa të marr përsipër këtë përgjegjësi. Këta që janë në drejtim të Vorës sot, kanë marrë votën dhe nuk i kanë realizuar premtimet që kanë bërë për këto shërbime. Mua m’u dha mundësia nga Aleanca për Shqipërinë Evropiane për t’i mundësuar këto shërbime dhe për t’i ofruar në kohën e duhur. Në projektin tonë kemi menduar për shërbime edhe më madhore, siç është ujësjellësi, pasi sot ofrohet vetëm një orë ujë në ditë. Investimet janë bërë. Janë investuar mbi 1.5 milionë euro dhe ujë nuk ka. Kemi arritur me mbështetjen e pushtetit qendror për të mundësuar disa hapësira shërbimi të munguara, siç është energjia elektrike, pastrimi i kanaleve kulluese. Në Vorë ka shumë mungesa për këto lloj shërbimesh. Ne do të ofrojmë një garanci, duke u kërkuar votëbesimin qytetarëve dhe duke ofruar shërbimin e munguar. Ne këto do t’i bëjmë të mundura, pasi edhe unë vetë jam pjesë e këtij komuniteti dhe jetoj përditë me hallet dhe problemet që këta banorë hasin çdo ditë. Unë do ta bëj të mundur realizimin dhe plotësimin e këtyre shërbimeve në një kohë rekord. Procesin e investimeve do ta ndajmë në disa etapa: në investime 6-mujore, që do të thotë investime afatshkurtra, në investime afatmesme, që do të thotë investime në një periudhë 2-vjeçare, dhe faza e tretë është ajo e investimeve që do të kryhen deri në fund të mandatit, kur do të kemi të realizuara të gjitha premtimet që do të thuhen gjatë fushatës. Do të kemi kujdes në infrastrukturë, në rehabilitimin e rrugëve të brendshme, pasi ato janë rrugë që janë ndërtuar një herë dhe sot po bëhen ndërhyrje për riparime dhe rindërtim dytësor, gjë e cila tregon që fondet investohen dy herë në të njëjtin projekt. Ne nuk do të kemi këta parametra. Ne do të investojmë një herë e mirë dhe jo të kemi abuzime me fondet publike që janë burime të ardhura nga taksat e qytetarëve. Pra, investimi do të bëhet një herë dhe të jetojë sa më gjatë, jo të bëjmë investime, të hedhim asfalt dhe, siç thotë populli, të hedhim gjalpë mbi bukën, e pastaj t’i marrim votën e të ikim. Kjo nuk do të ndodhë me ne. Investimet do të jenë me këmbë në tokë dhe me baza të forta dhe jo në ajër. Prandaj ky komunitet po vuan dhe po thyhet ajo tabuja e besimit te kryetari aktual dhe po kalon në një besim të drejtë për drejtimin e duhur, tek Aleanca për Shqipërinë Evropiane.
Ju keni kaq kohë që takoheni me njerëz, edhe nga këto fshatrat e reja që përfshihen në Bashkinë e madhe të Vorës me reformën e re territoriale. Çfarë problemesh kanë ata, çfarë ju kërkojnë?
Unë kam marrë pjesë edhe në zgjedhjet e 23 qershorit të 2013-ës dhe isha kandidat për deputet me forcën politike të LSI-së. Në këtë kohë mua m’u dha mundësia të njihem edhe me më shumë detaje me hallet dhe problemet e njerëzve të kësaj zone. Nga ajo datë e deri më sot, unë kam pasur kontakte të vazhdueshme me komunitetin që përfaqësoj dhe kam qenë pjesë përbërëse e zgjidhjes së halleve të tyre, duke u dhënë asistencë, duke i mbështetur për zgjidhjen e problemeve madhore. Por, kjo u bë e pamundur, pasi pushteti vendor u bë pengesë e një hartimi të problematikës që këta banorë më kanë parashtruar gjatë fushatës elektorale. Unë i di shumë mirë problemet. Kemi kontaktuar në çdo lagje, në çdo fshat dhe të njëjtat probleme janë: pastrimi, gjelbërimi, pastrimi i kanaleve, investimi i rrugëve të parehabilituara. Kjo, jo vetëm në Vorë, por edhe në komunën Bërxull, pasi mungon totalisht investimi i rrugëve. Edhe nëpër komuna të tjera ka lagje të pasistemuara, pasi këto janë trajtuar sipas ngjyrave politike. Ne kemi identifikuar të gjitha kërkesat e komunitetit për çerdhe, për shkolla, por edhe për shërbimin urban. Shërbimi urban i shkollave mungon totalisht. Kemi fshatra të ndara në dy pjesë, ku mund të kalojë rruga urbane, hekurudhat. Ne këto do të bëjmë të mundur, t’i lidhim shkollat me njëra-tjetrën, përmes investimeve urbane që do të jenë në platformën time elektorale si një shërbim i munguar. Unë do ta bëj të mundur qysh në projektin afatmesëm të qeverisjes sime, sapo të ma besojnë qytetarët.
Cili është slogani dhe motoja juaj e kësaj fushate?
Slogani dhe motoja ime e kësaj fushate është: shërbim e përkujdesje dhe komunikim i vazhdueshëm me qytetarët. Ky ka qenë një shërbim i munguar gjatë gjithë këtyre viteve.
Me këto komuna të reja që i bashkohen Vorës, a është edhe përgjegjësia juaj më e madhe për administrimin e gjithë bashkisë së re? Si do ia dilni?
Patjetër! Po ta shikojmë nga harta territoriale e re, është dyfishuar edhe popullsia paralelisht. Kështu që, normalisht përgjegjësia është shumë e madhe, sepse komuniteti është më i madh. Por, do ta kemi të lehtë, sepse ne do të komunikojmë gjithmonë me ta dhe nuk do të jemi të pacipë në zgjidhjen e kërkesave dhe problemeve të tyre. Kemi identifikuar në çdo fshat probleme me ujërat e zeza. Këto janë mbi rrugë, i kemi fotografuar, dhe ne do të bëjmë të mundur që të zgjidhim këtë situatë të krijuar. Të paktën të zgjidhim emergjencat në hapat e parë. Këto emergjenca kanë të bëjnë me: rehabilitimin e disa rrugëve në lagje, ujësjellësin, që është tipik, dhe energjinë elektrike. Në qytetin e Vorës ekziston 60% fuqia 20 kilovolt dhe 40% fuqia 6 kilovolt. Ne do të bëjmë të mundur ndërrimin e gjithë linjës 6 kilovolt, pasi është shumë e amortizuar, ose lidhja paralele me linjën 20 kilovolt, që të jenë në shërbim, në mënyrë që qytetarët të kenë furnizim me energji sipas standardeve dhe jo të ulët, siç e kemi identifikuar në disa zona të njësisë, siç janë: Marikaj, Marqineti, Sharga, Palaqi nga komuna e Prezës, Ahmetaqi dhe Gjonaj. Këto janë komuna që janë me energji të dobët. Ne do të bëjmë të mundur që me bashkëpunim edhe me ministrinë e linjës, kemi marrë edhe aprovimin nga administratorët e OSHEE për të mundësuar këtë lloj shërbimi. Jemi të sigurt që do na e mundësojnë. Këto janë problemet madhore: energjia elektrike, rehabilitimi i rrugëve emergjente, ku ujërat e bardha janë të përziera me ujërat e zeza, dhe komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët dhe përgjigjja në kohë rekord për kërkesat e tyre.
Çfarë parashikoni në programin tuaj për bujqësinë, pasi Bashkia e Vorës përfshin shumë fshatra që këtë aspekt e kanë mënyrë jetese?
Kujdesi për bujqësinë do të jetë prioritet. Do të krijojmë mbështetje për fermerët. Kemi menduar të hapim një zyrë për fermerët, për të dhënë mundësi financimi e mbështetjeje për fermerët, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Bujqësisë, me projektet që ajo ka, duke financuar ndërtimin e serave, 70% financim nga Ministria dhe 30% me interes zero dhe afatgjatë nga buxheti privat, pasi i bie që, duke e pasur jo vetëm tokën si pronë, mund të bëhesh pronar, jo duke kërkuar punë, por duke marrë punonjës të tjerë nga qyteti dhe duke i punësuar në këto biznese private. Ne do të ndërtojmë edhe një pikë grumbullimi, ku biznesi të gjejë garancinë qysh në fazën e mbjelljes për tërheqjen e prodhimit të tyre me kontrata nga eksporti, nga Komuniteti Evropian. Do të kemi një kujdes të veçantë edhe për objektet e kultit. Do të harmonizojmë bashkëjetesën fetare, pasi zona dhe bashkia e re bashkon edhe Bërxullin e Domjen dhe kemi përzierjen e besimeve, dhe ne këto do t’i unifikojmë, duke mundësuar bashkëjetesën fetare pa pasur dallime. Pra, jo vetëm mbështetje ndaj fermerëve, por edhe kujdes ndaj objekteve të kulteve, barazisë fetare, që do të jetë një pikë kyçe që ne do ta mbështesim. Do të jemi të gatshëm për ndërtimin e kishave dhe xhamive, duke u krijuar banorëve lehtësira në ushtrimin e besimit të tyre. Kemi ende shumë pika në programin tonë, por sot për sot jemi me këta objektiva.
Ju keni këtu edhe një nga fshatrat e goditur më së shumti, Gërdecin. A jeni takuar me banorë të kësaj zone, çfarë nevojash kanë ata?
Kemi komunikuar me këtë komunitet. Problemi kryesor i tyre është që të bëjmë një rehabilitim që është zgjidhja përfundimtare e arsimimit të të rinjve. Pra, një nevojë urgjente e tyre është hapja e një shkolle, në vend të asaj që ishte, pasi është mbyllur prej 4 vjetësh. Ne në projekt kemi hapjen e një shkolle profesionale që të rinjtë të arsimohen në profesionet që dëshirojnë, sepse jo të gjithë e kanë mundësinë që të jenë të arsimuar dhe të ndjekin studimet universitare. Dhe ne kemi mundësi t’ua ofrojmë atyre këtë zgjidhje, duke iu hapur dyert e shkollës dhe duke iu ofruar një zanat, dhe jo t’i mbyllim këto dyer, siç ka bërë kryetari aktual. Dhe aty do të ketë kualifikime të ndryshme, si: mekanikë, elektricistë, hidraulikë etj. Edhe kërkesa, por edhe një nga pikat kryesore të programit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane ishte punësimi dhe hapja e shkollave profesionale.
Nëse zgjedhjet do të ishin nesër, çfarë do t’u thoshit votuesve tuaj?
Kjo është një pyetje pak e hershme, por gjithsesi do t’i përgjigjem. Do t’u kërkoja votuesve të votojnë për kandidaturën që ju dëshironi dhe që shikoni më të duhurën për zgjidhjen e problemeve tuaja. Votoni kandidaturën që është më afër komunitetit. Çdo njeri duhet të skanojë nga çdo pikëpamje kandidaturën që ka përballë dhe të krijojë besimin vizionar dhe mbi këtë të votojë për atë që e meriton.
A jeni ju i privilegjuar që keni edhe qeverisjen qendrore në mbështetjen tuaj për realizimin e programit?
Patjetër që ndihem i privilegjuar, sepse gjithmonë kemi parë, gjatë historikut të fushatave elektorale, përplasje pushtet vendor-pushtet qendror. Normalisht do të ishte mirë që edhe pushteti vendor të ishte në një kah me atë qendror. Por jo vetëm kaq! Do të dëshiroja personalisht që zgjedhjet për administrimin qendror dhe vendor të bëhen në një ditë dhe jo të ndara një herë në 2 vjet, mendim personal gjithmonë, pasi kjo krijon përplasje të vazhdueshme dhe mosplotësim të kërkesave dhe problemeve që ka komuniteti. Të ishin paralel këto zgjedhje, do të ishte më mirë, mendoj unë personalisht.
Unë do t’u uroja suksese në këto zgjedhje të dyja palëve. Zgjedhjet të jenë sa më transparente, të mos dominojnë, siç ka ndodhur edhe më parë, nderet personale, por të jetë një zgjedhje e ndershme. Unë mendoj që, po të jetë vullneti i forcave politike dhe votimi nëse do të jetë sa më i qetë, mendoj që komuniteti do të jetë i qetë të bëjë edhe atë që ju thashë, skanerin vizual, të vendosin në memorien e tyre se cilin kandidat të votojnë, do të isha objektiv në realizimin e kërkesës së fitores në 21 qershor.
Pikat e Programit
Motoja e qeverisjes pas fitores në zgjedhjet e 21 qershorit: Ta shndërrojmë Vorën, nga rrugë kalimi në qendër punësimi dhe zhvillimi
Vora, qendër punësimi dhe zhvillimi
• Vora mund të ofrojë punë për të gjithë
• Vora park i preferuar industrial
• Vora është qendër e zhvillimit të bujqësisë dhe agrobiznesit
• Vora, si nyjë lidhëse e Shqipërisë shndërrohet në qendër shërbimesh për biznesin
• Do të krijojmë tregun modern agro-ushqimor në qendër të Vorës
• Do të trefishojmë sipërfaqen e serave, duke mbuluar 70% të kostos së tyre
• Çdo të riu që nuk ka profesion dhe që i ofrohet një punë do t’i paguhen shpenzimet e formimit profesional
• Bizneset që punësojnë mbi 25 punëtorë përjashtohen nga taksat vendore për 3-5 vjet
• Do të çelim zyrën e projekteve dhe politikave të zhvillimit në bashki
• Bashkia do të jetë garantuesja dhe ndërmjetësja e çdo biznesi.
Vora, model i zhvillimit urban
• Do përfundojmë procesin e legalizimeve
• Qendra dhe periferia janë njësoj
• Vora do të jetë një qendër banimi evropiane
• Territori i bashkisë do të jetë në dispozicion të punësimit, banimit dhe zhvillimit ekonomik të pastër
• Do të hartohet plani i zhvillimit infrastrukturor që shkurton distancat me qendrën e bashkisë
• Do të ndërtojmë një rrjet të transportit publik sipas nevojës që ka çdo fshat
• Furnizimi me ujë dhe largimi i ujërave të ndotura do të jetë i garantuar.
Vora qendër model i administrimit publik
• Bashkia do të shkojë te qytetari. Çdo vendim do merret vetëm pas konsultës me qytetarët
• Në çdo fshat do të kemi përfaqësues të bashkisë
• Buxheti i bashkisë (të ardhurat dhe shpenzimet) do të jenë model i transparencës dhe i vendimmarrjes publike
• Shërbimet publike do të ofrohen në kohë dhe me cilësi.
Vora, qendër sociale e zhvilluar
• Bashkia e Vorës është pranë nevojës së çdo pensionisti
• Është detyrë e bashkisë të luftojë me varfërinë e çdo të varfri
• Do të sigurojmë akses për çdo të pamundur
• Do të ndërtojmë qendrën sportive për të nxitur rininë drejt sportit.
Do të realizojmë në vitin e parë të qeverisjes:
1. Inventarin e plotë të burimeve dhe të aseteve të bashkisë
2. Do të hartojmë planin e zhvillimit urban të bashkisë
3. Do të ngremë zyrën e projekteve dhe të planifikimit në ndihmë të bizneseve
4. Do të hartojmë planin e ri financiar të bashkisë
5. Do ngremë ndërmarrjet e reja të shërbimeve sipas ligjit
6. Do të mbyllim të gjitha veprat infrastrukturore të lëna në mes
7. Do të krijojmë shoqatën e fermerëve dhe unionin e bizneseve të bashkisë Vorë
8. Do të çelim fondin për kualifikimin profesional të të rinjve
9. Do të fillojmë programin për mbrojtjen e garantuar të vreshtave dhe ullirit
10. Do të ndërtojmë një pikë grumbullimi të produkteve bujqësore
11. Do të pastrojmë të gjitha kanalet kulluese dhe ujërat e zeza në territorin e bashkisë
12. Do të vëmë në funksionim të gjithë rezervuarët dhe kanalet vaditëse.
(a.n/GSH/BalkanWeb)