TIRANE– Pas publikimit të informacioneve se ditën e sotme, 25 mars, çdo automjet që do kalojë në Rrugën e Kombit duhet të bëjë pagesën nga 5 deri në 10 euro për vajtje-ardhje, ka reaguar Ministria e Infrastrukturës. Sipas këtij institucioni, pas përfundimit të procesit të instalimit të pagesës sipas Marrëveshjes me koncesionarin, do të fillojë edhe testimi i sistemit.
Dhe prova e parë nisi ditën e sotme në orën 12:00. Për të realizuar këtë testim, pranë tunelit të Kalimashit do të vendoset një postbllok, për të kryer pagesën.
Për këtë gjë ka reaguar edhe opozita, e cila akuzon qeverinë Rama për taksim të qytetarëve. Në përgjigje të këtyre akuzave, Ministria e Infrastrukturës shpjegon se për çfarë do të shërbejë kjo taksë rrugore dhe si do funksionojë.
REAGIMI I PLOTE
Në Marrëveshjen e koncesionit, datë 6.12.2016 “Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim, mirëmbajtje të Autostradës Milot Morinë”, miratuar me VKM nr.870, datë 14.12.2016 “Për miratimin e kontratës se koncesionit, “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot – Morine”, ndërmjet Republikës se Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe Konsoriumit “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC-Salillari shpk – Bee Tech-Violiap Ateve – Kastrati sh.a., ndër të tjera parashikohet se:
Koncesionari përdor një shesh me dy kahe për pagimin e taksës ne afërsi të tunelit të Thirrës dhe Koncesionari mbledh dhe mban të ardhurat nga taksa e rrugës.
Objektivi kryesor i këtij projekti Koncesion/PPP i punimeve dhe shërbimeve është përmirësimi i Autostradës dhe shfrytëzimi dhe mirëmbajtja efikase e saj. Koncesionari do të përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë Autostradën sipas një pakete të paracaktuar të standardeve të performancës për një periudhë 30 vjeçare të koncesionit.
Taksa e rrugës karakterizohet dhe taksohet sipas përllogaritjes se klauzolës se kontratës se koncesionit, në varësi të klasës së automjetit në bazë të klasifikimit të Automjeteve.
Koncesionari duke nisur nga sot është në fazën e testimit të sistemit të TOLL-it. Makinat kalojnë pa ju kërkuar pagesa por thjesht testohet nga ana teknike sistemi. Kjo do të vazhdojë deri javën e ardhshme. Më pas do përcaktohet data e fillimit të kalimit kundrejt pagesës.
Klasa 1 motorr – 2.5 Euro
Klasa 2 veturë – 5 Euro
Klasa 3 autobus & kamioncine – 11.2 Euro
Klasa 4 kamion i mesëm – 16.2 euro
Klasa 5 kamion i rëndë – 22.5 euro
(el.sp/BalkanWeb)
