Nga: ERMELINDA HOXHAJ
VLORE– Këshilli i Akreditimit në Agjencinë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) ka marrë vendimin për mbylljen e katër programeve master në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë. Në vendimin e datës 27.3.2015, Këshilli i Akreditimit, veç mbylljes së këtyre programeve studimi të ciklit të dytë, propozon edhe transferimin e studentëve në një program tjetër të ngjashëm studimi. Duke u nisur nga ky vendim, studentët e Fakultetit të Shkencave Teknike në Universitetin e Vlorës i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit duke kërkuar një sqarim se çfarë do të ndodhë me ta vitin e ri akademik, 2015-2016. Nëpërmjet një njoftimi, MAS i ka sqaruar studentët se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, por i garanton ata se vendimi që do merret do jetë konform ligjit.
“Nga ana e Ministrisë së Arsimit nuk ka asnjë vendimmarrje për transferim të studentëve në universitete të tjera publike apo private apo mbyllje programesh studimi në të cilat vijojnë studimet aktualisht studentë të Universitetit të Vlorës. Garantojmë gjithashtu se çdo vendimmarrje e MAS do të jetë në përputhje më aktet ligjore në fuqi dhe në interesin më të mirë të studentëve”, thuhet në njoftimin e MAS.
Ndërsa studentët e Universitetit të Vlorës shprehen se: “Problemi i parë, është se nëse për këto programe master nuk do të miratohen kuota për vitin e ri akademik, do të thotë që studentët që janë duke ndjekur studimet bachelor nuk do të vijojnë studime master në Universitetin e Vlorës. Ndërsa shqetësimi tjetër që ne kemi, ka të bëjë me ata studentë që kanëprograme. Çfarë do të bëhet me diplomat e tyre, do njihen apo jo?”. VENDIMI Në fund të muajit mars të këtij viti, Këshilli i Akreditim pranë APAAL ka vendosur mos hapjen e katër programeve studimi në master në universitetin e Vlorës. Por duke qenë se këto programe janë hapur me vendim të Këshillit të Ministrave në korrik të vitit 2013, atëherë këshilli i akreditimit propozon mbylljen e tyre, duke mos miratuar kuota për vitin e ri akademik, ndërsa studentët e tjerë të transferohen në një program të ngjashëm.
Programet e studimit Master Profesional në “Mësimdhënie e Kimisë në Arsimin e Mesëm të Ulët”, Master Profesional në “Më-në Biologji me profil Minor Kimi”, Master i Shkencave në “Mësimdhënie e Kimisë në Arsimin e Mesëm të Lartë” dhe Master i Shkencave në “Biologji Mjedisore” kanë mangësi në dokumentacionin e dorëzuar dhe nuk përmbushin disa nga standardet shtetërore të cilësisë, që lidhen me: organizimin e planit mësimor, stafin e mjaftueshëm akademik dhe me shkallën e kualifikimit të tij, studimin mbi nevojat e tregut të punës, infrastrukturën mbështetëse për realizimin e praktikave profesionale të studentëve për këto programe studimi si dhe nuk janë deklaruar institucionet bashkëpunuese dhe nuk janë paraqitur marrëveshjet përkatëse për realizimin e këtyre praktikave.
Për këto arsye, KA jep vlerësimet përfundimtare që të mos hapen”, përcaktohet në vendimin nr. 28, datë 27.03.2015. Ndërkohë që në pikën 5 të tij përcaktohet se: “Duke qenë se këto programe studimi janë hapur tashmë, me VKM Nr. 744, datë 05.09.2013 dhe VKM Nr. 668, datë 15.10.2014 dhe kanë aktualisht studentë, KA i rekomandon Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të mos akordojë kuota studimi në vijim për programet e studimit Master Profesional dhe Master i Shkencave. Për Master i Shkencave të parashikojë mundësi transferimi të studentëve në proces, në programe të ngjashme në Institucione të tjera të Arsimit të Lartë”.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
