TIRANE- Shkrimtari Agron Tufa ka reaguar pas rrëfimeve që ka bërë historiani Pëllumb Xhufi për situatën në të cilën jetonin të internuarit në kampin e Tepelenës. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, Tufa tha se realiteti në të cilin kanë jetuar njerëzit në atë kamp, ka qenë shumë i hidhur.
Tufa thotë se ka takuar vetë 100 të mbijetuar të atij kampi që tregojnë për torturat dhe kushtet e këqija të internimit.
Ai thotë se Kampi i Tepelenës i ngjan një aushvici, por pa dhomat e gazit dhe krematoriumin.
“Ajo çfarë tregonin ata që kanë jetuar në kampet e Tepelenës flasin për një realitet krejt ndryshe nga ajo situata ‘rozë’ që solli Ruçi. Kampi i Tepelenës ka qenë një aushvic minus dhomat e gazit dhe krematoriumin. Rrëfimet që tregojnë edhe për të arratisurit nga ky kamp tregojnë një realitet krejt ndryshe. Ka fakte tronditëse edhe për kampin e Maliqit. Në kampin e Tepelenës kanë qenë familje kryesisht nga veriu, pleq, gra, fëmijë”, u shpreh shkrimtari Tufa.
“Raportet që jepen nga CIA mbi torturat dhe vdekjet e njerëzve janë të ngjashme me kampin e Aushvicit. Në Tepelenë nuk bëhej fjalë për shkolla. Mua më bën përshtypje që ky raport i CIA-s u përkthye vetëm me një paragraf dhe jo 8 faqe apo më shumë. Kontigjenti që ishite aty ishin të 1945-ës dhe nuk kishte lidhje me diversionin jugosllav. Unë kam një dokument që thotë se në këtë kamp; pra që tregon numrin e të burgosurve, 460 fëmijë, 1083 të internuar gjithsej. Janë të dhëna të shtetit shqiptar të asaj kohe. Madje Xhaferr Pogaçe që ishte komandant i kampit thotë vetë se; në kampin e tepelenës kemi njerëz që janë të zhveshur, pse janë nga zona e veriut, dhe rrinë prej një kohe të gjatë janë të dobët, kockë e lëkurë. Kjo ishte e shkruar në; Dosja 420, viti 1951”, theksoi Tufa duke kundërshtuar deklaratat e Pëllumb Xhufit.
Më tej Tufa citoi një tjetër paragraf nga OKB, të një të burgosure që quhet Gjyste Loci, dhe e cila ka kaluar tortura të paparashikueshme.
“Së bashku me 3 fëmijët, ndërkohë që ishte ishte shtatzënë, policia e arrestoi brutalisht; ajo u mbyll në një barakë, ishte shtatzënë dhe punonte gjithë ditën, fëmija lindi i vdekur, internimi i saj vijoi në disa kampe me radhë, ajo u përdhunua nga policët e kampit, dhe fëmija tjetër i saj humbi jetën nga këto tortura…”, citoi më tej historian Tufa duke iu referuar krimeve të komunizmit në kampet e Tepelenës.
(BalkanWeb)
