Nga: JETON SELIMI*
Napoli priste Lacion në ndeshjen më të rëndësishme të javës së fundit të kampionatit italian, një ndeshje që do të përcaktonte dhe skuadrën e fundit që do të luajë në Ligën e Kampioneve. Lacialët e Lorik Canës ishin më të favorizuar, pasi kishin dy pikë avantazh ndaj napolitanëve, që luanin gjithçka për gjithçka në “San Paolo”. Skuadra e Benitezit do ta niste më mirë ndeshjen, ndërsa do të kishte mundësi për shënim, ku vlen për t’u veçuar shpërthimi i Kajehonit, që pasi del përballë Marketit, gjuan me topin, i cili del për pak jashtë. Por rasti fatal i humbur nga napolitanët do t’u kthehet si bumerang, kur Parolo do të lëshojë një të majtë të fuqishme nga jashtë zonës dhe Anduhar nuk do devijojë siç duhet dhe topi do të përfundojë në rrjetë. 0-1 dhe Napoli tronditet. Të besuarit e Benitezit gabojnë pasime shumë të thjeshta dhe në një top të rrëmbyer nga ana e Parolos, nis kundërsulmi vdekjeprurës i Kandrevas, që i çon skuadrat në pushim me avantazhin e dyfishtë. Por nuk ka mbaruar. Napoli rikthehet në fushë i tjetërsuar dhe Hi-guani do të ndezë shpresat e përmbysjes së madhe në minutën e 55-të. “San Paolo” mbështet fuqimisht sku-adrën e zemrës dhe aksionet napolitane nuk rreshtin. Parolo ua bën më të thjeshta punët kur ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe del me të kuq në të 62′-ën, ndërsa dy minuta më pas Gonzalo Higuain barazon shifrat duke çuar në delir tifozërinë. Ndizet ndeshja edhe më shumë, ndërsa Pioli mendon të ruajë rezultatin.

Por Gulam do të shkatërrojë nervat e Benitezit në të 70′-ën, ndërsa merr një të kuq krejt të panevojshëm dhe rikthen baraspeshën në fushë. Në minutën e 75-të protagonist bëhet gjyqtari Roki, që e cilëson faull ndërhyrjen e Luliçit ndaj Maxhos dhe brenda zonës, por ishte vërtet i dyshimtë. Higuain do të vendoset përballë Marketit, ndërsa do të ekzekutojë penalltinë me topin që shkon… në tribunë! Penalltia e humbur e bën Napolin të ndjejë se nuk mund të bëjë më asgjë. Madje, kur bëheshin gati për të nisur rrethimin e zonës kundërshtare, Onazi, i sapo futur në lojë, merr një top në hyrje të zonës, depërton mes dy mbrojtësve dhe mposht Anduharin, duke dërrmuar ëndrrat napolitane dhe u jep jetë atyre laciale për në Ligën e Kampioneve. Por për ta kthyer në makth mbrëmjen për Napolin, mendon Miro Klose, që në kohën shtesë shënon me kokë. Gola dhe spektakël në ndeshjen mes Interit dhe Empolit, ku pas avantazhit 2-0 të të zotëve të shtëpisë, Empoli barazon në pak minuta. Gjithsesi, Brozoviq rikthen Interin në epërsi dhe Ikardi shënon golin e katërt, një gol që e barazon me Luka Tonin në krye të golashënuesve. Puçiareli dhe Mikelidze për t’u veçuar tek Empoli, që i mbajtën toskanët në lojë gjatë gjithë ndeshjes.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: