NGA REZARTA PASHALLARI*

Kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale në Bashkinë e Krujës, Hamdi Pasha, është i vetmi konkurrent që vjen me një plan konkret për zonën e tij. Në momentin e vlerësimit të tij si kandidat për Bashkinë e Krujës, ai kontaktoi me një studio projektimi, me inxhinierë të disiplinave të ndryshme, të cilët punuan për evidentimin e problematikave dhe pasi skanuan në tërësi zonën e Krujës, u hartua programi i cili përkon me investimet konkrete dhe të nevojshme për banorët e Bashkisë së madhe të Krujës, e cila me ndarjen e re territoriale përfshin dy bashki e katër komuna. Pasioni i zotit Pasha për historinë ka bërë që në programin e tij të zërë një vend të veçantë Kalaja Albanopolis, nga ku ne kemi marrë emrin ndërkombëtar “Albania” dhe Kalaja e Krujës. Ato janë objektivat e tij më madhore për lidhjen me njëra-tjetrën dhe me destinacion final Malin e Krujës, ose siç njihet ndryshe, Mali i Skënderbeut.
Zoti Pasha, në fakt ju jeni kandidat i rrallë, që keni një program konkret për të realizuar në zonë, si e keni arritur realizimin e tij?
Ashtu siç kisha premtuar, që do të dal përpara qytetarëve të Bashkisë Krujë me program, ju bëj me dije se e realizuam dhe e mbajta fjalën. Kemi gati programin “Kruja 2015-2019” me tri shtylla kryesore”
1-Punësimi dhe zhvillimi ekonomik.
2-Menaxhimi rural dhe urban.
3-Shërbimet bashkiake.
Programi është konkret dhe gjithëpërfshirës, gjithsej janë 52 faqe, me kapituj të veçantë. Ai është ideuar dhe shkruar nga unë si dhe një staf profesionistësh të fushave të ndryshme, inxhinierë, arkitektë, juristë, ekonomistë, ambientalistë, sportistë, artistë, etj. Mbi të gjitha, programi ynë ka si kryefjalë frymën qytetare, bashkëbisedimet me popullin, nevojat dhe sugjerimet që ata do të japin. Për të gjithë të interesuarit, programin tonë mund ta gjejnë në zyrat e partisë dhe shtabet përkatëse elektorale dhe së shpejti do të jetë edhe online.
Ju bëj me dije, se në ditët në vijim do të shpall publikisht programin tim, në një takim gjithëpërfshirës me intelektualë dhe me të gjithë qytetarët e interesuar, në sheshin “Abaz Kupi” në Krujë.
Çfarë parashikoni në programin tuaj për bujqësinë, pasi Bashkia e Krujës, siç e thamë tashmë përfshin shumë fshatra?
Bashkia do t’u kthejë qytetarëve një qytet turistik dhe një fshat agro-turistik. Nuk mund të ketë prodhime fshati të pashitura dhe as prodhime industriale të braktisura. Prodhimi bujqësor nuk do të jetë më vetëm një hall i fermerit, por prioritet i bashkisë. Ne do të jemi aty, sa herë qytetari të ketë nevojë për rrugëzgjidhje dhe për mbështetje. Bashkia do të garantojë çdo lehtësi që ka në dorë dhe do të lobojë, për çdo lehtësi që ka pushteti qendror, që çdo produkt bujqësor të shitet. Ekspertët e bashkisë për bujqësinë do të asistojnë çdo fermer si me këshillim, ashtu edhe me ndihmë konkrete për shitjen e produkteve bujqësore dhe kjo në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë. Bashkia do të mbështesë me prioritet, duke mos krijuar asnjë pengesë burokratike për çdo investim agro-bujqësor. Bashkia në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë do të monitorojë parandalimin e çdo sëmundjeje në gjënë e gjallë. Do të ndihmojë konkretisht çdo fermer që do të ballafaqohet me problemet me shëndetin e kafshëve bujqësore dhe gjënë e gjallë. Bashkia do t’i japë prioritet ngritjes së punishteve të përpunimit të produkteve blegtorale dhe bujqësore, duke thithur investime në këtë sektor. Bashkia nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare të zhvillimit do të rrisë kapacitetet e menaxhimit bujqësor dhe blegtoral. Bashkia do të krijojë një treg të gjësë së gjallë. Bashkia Krujë do të lobojë fort për ndërtimin e një thertoreje moderne, që të ndihmojë që produktet e tyre të blihen nga tregjet kryesore të Shqipërisë. Tregjet sot vuajnë nga mosvëmendja dhe nga kushte jo të mira higjienike. Bashkia do të ketë në vëmendje bashkë me specialistin, i cili do të jetë “syri dhe veshi” i bashkisë. Do të ushtrojmë kontrolle të rrepta sa i takon higjienës dhe kushteve të shitjes së produkteve blegtorale. Do të vendosen në prioritet maksimal dy tregje me prodhime ushqimore lokale, të mbështetura fort nga bashkia, me të gjitha lehtësitë e nevojshme të parkimit, transportit, magazinimit dhe kushteve higjieno-sanitare.
Kruja është qytet i vizitueshëm nga turistët, çfarë hapësire zë turizmi në programin tuaj?
Nuk mund të ketë qytet turistik pa infrastrukturë turistike dhe ndërhyrjet në infrastrukturë, do të synojnë rritjen e çmimit të pronave. Do të ulen të gjithë taksat e hoteleve dhe akomodimit për turistët. Bashkia do të ngrejë një qendër të promocionit turistik, me objektivin kryesor thithjen e turistëve, si diasporën, ashtu edhe të huajt. Nuk mund të ketë asnjë shqiptar të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë që nuk ka vizituar Kalanë e Krujës, ndaj dhe ne do të bëjmë një program intensiv promocioni turistik nëpër këto vende. Do të krijojmë të gjitha kushtet e nevojshme të pritjes dhe akomodimit, bashkë me lehtësirat. Po kështu, synojmë organizimin e aktiviteteve kulturore me objektiv turizmin. Koncerte dhe aktivitetet kulturore në ambientet e Kalasë. Krijimi i një infrastrukture të agro-turizmit në territorin e bashkisë, duke mbështetur fort çdo sipërmarrje agro-turizmi në territor. Futja e Krujës në promocionin turistik ndërkombëtar. Krijimi i një faqeje online turistike, për zonat turistike të Bashkisë Krujë. Të përfshihet në gjuhë të ndryshme, historiku i Krujës dhe Skënderbeut dhe pamja në 3D e kalasë. Futja e një sistemi të shërbimit telefonik, si guidë dixhitale turistike. Qendra e promocionit turistik do të inkurajojë orientimin e turizmit drejt shërbimit turistik lokal privat dhe në mënyrë të veçantë agro-turizmin. Organizimin e një festivali të përvitshëm, me temën e patriotizmit, ku në Krujë të mblidhen grupe nga e gjithë Shqipëria. Kthimi i Kalasë Albanopolis, si një qendër me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, turistike dhe arkeologjike, duke krijuar shërbimin turistik. Çdokush që do të vizitojë kalanë e Krujës, do të ketë dëshirë të vizitojë edhe kalanë e Albanopolis. Do t’i bëjmë të njohura këto destinacione që na i kanë zili të gjithë, me anë të reklamave kombëtare dhe ndërkombëtare. Në mediat vizive, shtyp dhe mediat sociale. Një tjetër dimension këto destinacione turistike do të marrin edhe më datën 6 maj, atëherë kur ne kemi menduar të vendosim festën lokale të Krujës. Bashkia merr përsipër guidën dhe transportin e njerëzve që nuk kanë mundësi të drejtohen në Malin e Skënderbeut, aty ku do jetë edhe aureola e festës, pra aty ku vetë qëndronte Skënderbeu “Maja e Flamurit”. Kruja si destinacioni më i fuqishëm turistik në Shqipëri, është premtimi im më madhor. Por turistët sot shikojnë pazarin e vjetër, kalanë, muzetë dhe e përfundojnë këtu guidën e tyre, ndërsa mendimi ynë është që guida turistike të vazhdojë edhe me një shëtitje që të çon në Malin e Krujës, në malin e Skënderbeut dhe të njohin historinë edhe të shenjtit Sari Salltëk.
Fëmijët janë e ardhmja, si i keni menduar hapësirat për të vegjëlit në Bashkinë tashmë të madhe të Krujës?
Për çdo 500 fëmijë do të ketë nga një kënd lojërash. Kjo është domosdoshmëri e madhe dhe është përfshirë në planet tona afatshkurtra. Do të ketë lodra të ndryshme, që do të shërbejnë për argëtimin e fëmijëve. Dua t’ju them se paraprakisht një kompani e madhe është ofruar për të dhënë ndihmën e saj dhe jemi në bisedime konkrete, nëse gjërat do të shkojnë ashtu siç ne i kemi parashikuar. Parku i lodrave do të shërbejë edhe si një oaz qetësie edhe për moshën e tretë, të cilët shpeshherë shoqërojnë nipërit dhe mbesat. I gjithë ky vizion vjen si një standard që e kërkon koha, ose si një frymëzim nga qytetet simotra në Shqipëri e më gjerë. Synimi im është ta bëjmë të jetueshme Bashkinë e re Krujë, në mënyrë që njerëzit të zgjedhin të jetojnë këtu dhe të mos zgjedhin të ikin drejt qyteteve dhe shteteve të tjera.
Tashmë ju keni eksperiencë në drejtimin e një administrate, mund të na thoni çfarë do të përmirësoni në drejtim?
Vizioni im që s’do të mbetet thjesht premtim, por që do ta realizoj direkt është: ‘Një bashki e qytetarëve, nga qytetarët, për qytetarët’. Kur troket në bashki është njësoj sikur të trokasësh në zyrën e një avokati, i cili do të kujdeset për problemin tënd, sikur të jetë i tij. Zotohem se do të jem një kryebashkiak i të gjithëve, pa dallime politike. Duhet ta dashurojmë qytetin dhe të mundohemi ta bëjmë sa më të jetueshëm, në mënyrë që njerëzit tanë të mos largohen nga Kruja, Fushë-Kruja, Thumana, Nikla, Bubqi dhe Cudhija. Administrata e bashkisë do jenë shërbëtorët e qytetarëve. Nuk mund të ketë një bashki të pasur, të qytetarëve të varfër. Bashkia është e pasur vetëm kur pasurohen qytetarët. Gjithashtu, bashkia do të ngrejë “Zyrë Avokatie Qytetare”, për të mbrojtur interesin qytetar ndaj çdo lloj abuzimi shtetëror. Fjala është për taksat, ujin, energjinë, shpronësimet dhe çdo penalizim shtetëror. Zotohem se nuk do të qeverisë në paligjshmëri. Nuk mund të vazhdojmë me shkarkimet e paligjshme nga administrata dhe të krijojmë gropa të reja për buxhetin e Bashkisë Krujë, të cilat burojnë nga taksat e qytetarëve. Zotohem se menaxhimi i bashkisë së re, që mbledh rreth vetes më shumë se 80000 banorë, do të ketë zhvillim në unison dhe do të përfitojë investime si një e tërë. Godinat që ka nën administrim bashkia do të restaurohen dhe do të jenë moderne, që qytetari të jetë sa më komod për të marrë shërbimet. Do të shikojmë pse jo dhe mundësinë e një godine moderne edhe për administratën qendrore të Bashkisë Krujë.
Çfarë masash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për ndalimin e ndotjes së furrave të gëlqeres?
Politika mbi mjedisin është një ndër prioritetet e mia afatgjata, ashtu si disa politika të tjera, arsimi, kultura, turizmi dhe sporti. Modeli që kam ndërmend dhe që po frymëzon programin tim nuk do të jetë pragmatist dhe afatshkurtër, por do jetë gjithëpërfshirës, parimor dhe afatgjatë. E kam fjalën që këto fusha nuk do të qeverisen me masa apo vendime 4-vjeçare, por për një të ardhme të qëndrueshme. Në lidhje me këto fusha, politikat dhe vendimet duhet të jenë të tilla, që edhe kryetari, edhe Këshilli Bashkiak që do vijë pas 4- vjeçarit tim, të mos kontestohen. Për shkak se baza e legjitimitetit të tyre do jetë vullneti i komunitetit. Unë, Këshilli Bashkiak dhe strukturat administrative, në varësi të Bashkisë Krujë nuk munden t’i lejojnë vetes që të vendosin në mënyrë të njëanshme për të ardhmen e komunitetit, fëmijëve dhe brezave që do vijnë. Instrumenti që do të mundësojë këtë standard, ide timen dhe stafit tim, do jenë referendumet vendore. Kështu që modeli i zhvillimit të mjedisit, arsimit, kulturës, turizmit dhe sportit do përcaktohet nga shumica referendare e komunitetit, i cili vullnetin e tij do t’ia imponojë, kujtdo kryetari, këshilli dhe strukture administrative në të ardhmen. Sigurisht nëpërmjet referendumeve, ne do të vendosim të gjithë bashkë, të qeverisemi brenda kompetencave të pushtetit vendor. Do shikohet raporti i të mirave, nëse për zonën ka më shumë përfitim që aktiviteti i këtyre firmave të ndalohet, ose puna dhe aktiviteti i firmave që ushtrojnë këtë biznes i shërben dhe i jep frymëmarrje zonës. I jep zhvillim dhe dimension tjetër punësimit dhe të ardhurave të banorëve. E parë në këtë këndvështrim, ne do ta shohim aktivitetin e biznesit të inerteve rast pas rasti. I takon firmës së projektimit që unë kam kontraktuar që të japë mendimin profesional. U takon intelektualëve dhe qytetarëve të zonës, të cilët do të shprehen drejtpërdrejt, në lidhje me lejimin ose moslejimin e këtyre bizneseve. Nuk mund të bie në kurthin e politikës së “lakut në fyt” dhe të premtoj para jush atë çka shumëkush edhe mund ta presë, që ne do të jemi radikalë dhe ndoshta subjektivë. Flas këtu për të gjithë ato biznese që veprojnë brenda kuadrit ligjor dhe kanë të gjithë dokumentacionin e përshtatshëm për të ushtruar një biznes të tillë. Nuk kam dëshirë të bëj politikë, por nuk kam se si të mos e them, që u mbyllën guroret e Krujës dhe u lanë familje pa bukë dhe këto gurore u “transferuan” në Skrapar, për interesa të pastra klienteliste. Ligji duhet të veprojë i barabartë për të gjithë dhe të veprojë si i tillë dhe jo në mënyrë selektive. Bashkia merr përsipër kontrollin mbi territorin, observimin dhe këqyrjen rast pas rasti për problematika të tilla. Ne jemi për një mjedis dinjitoz, jemi për një mjedis të pastër dhe nuk jemi për shkurorëzimin e pyjeve. Pyjet do të zënë një vend të veçantë në programin tonë edhe me kompetencat që na jep ligji për pushtetin lokal. Do ushtrojmë të gjithë autoritetin tonë për mbrojtjen e çdo peme, sepse çdo pemë është dhe përfaqëson një jetë. Ashtu siç duhen vite të tëra për t’u rritur, duhet edhe kujdes i jashtëzakonshëm. Këtë sektor do ta drejtojë ai ose ajo që i dashuron pyjet dhe jo siç ka ndodhur rëndomtë, ku pyjet janë përdorur për qëllime të çuditshme dhe në mënyrë kryekëput të paligjshme. Do të ngrihet një autoritet i veçantë që do të mbikëqyrë aktivitetin mbi pyjet dhe mjedisin. Kur kemi parasysh faktin se Bashkia Krujë ka një pasuri të jashtëzakonshme dhe të paanë në lidhje me pyjet, siç është Qafë-Shtama, Malësia e Krujës, Kruja dhe gjithë kurora rreth e përqark, po ashtu edhe e gjithë zona rreth Bashkisë së re Krujë.
Cili është projekti i parë që do të realizoni nëse fitoni zgjedhjet?
Është ende herët për këtë, por bashkëqytetarët duhet ta dinë se së bashku do të ndërtojmë një bashki të qytetarëve, nga qytetarët, për qytetarët. Do të jenë vetëm ata që do të vendosin se cilat janë nevojat emergjente, megjithëse unë gradualisht po përmbyll turin e konsultimeve dhe të gjitha problematikat i kemi përshirë në programin tonë.
Çfarë do u thoshit sot zgjedhësve që ata t’ua besojnë votën e tyre juve?
Të dashur bashkëqytetarë të Krujës, Fushë-Krujës, Thumanës, Niklës, Bubqit dhe Cudhisë! Unë e kërkoj votën tuaj përsa argumentova më sipër. Prej 15 vitesh kam drejtuar një biznes të suksesshëm dhe kam ndërtuar rrugë, spitale, ujësjellësa. Unë jam një nga ju, i di problematikat e zonës dhe jam i bindur që së bashku do gjejmë zgjidhjet. Dal para jush për të kërkuar votën tuaj, sepse si asnjëherë më parë, unë kam një program konkret dhe gjithëpërfshirës për Bashkinë Krujë. Kruja, Fushë-Kruja, Nikla, Bubqi, Cudhija dhe Thumana, sot më shumë se kurrë kanë nevojë për punë dhe dinjitet. Programi që unë dhe stafi im kemi shpallur është një kontratë mirëbesimi mes nesh, ndaj edhe unë kërkoj besimin tuaj, për ta kthyer atë në punë dhe projekte për zonën.

(m.k/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: