TIRANË- Përmbyllet Java Botërore e luftës kundër duhanit me ndarjen e çmimeve të konkursit “Një vend pa duhan, një shoqëri më e shëndetshme”, për punimet më të mira në pikturë të nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe shpalljen e ekipit fitues të ndeshjeve mes shkollave të mesme të Tiranës – shkollën “Sami Frashëri”.
Në këtë aktivitet të zhvilluar në Ditën Botërore Pa Duhan, mori pjesë Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, Drejtuesja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë, Dr. Ledia Lazëri, Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Dr. Eltar Deda, Drejtori i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, Dr. Astrit Beci, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe nxënës të shkollave të mesme të Tiranës.
Drejtuesja e Zyres Rajonale të OBSH-së, Ledia Lazëri, përcolli për të pranishmit vlerësimin e autoritetit më të lartë të OBSH-së për punën e bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin antiduhan, duke përgëzuar masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria civile për të luftuar duhanpirjen.
Në vijim, shkollat që morrën pjesë dhe u nderuan me çmim në aktivitetet që u organizuan përgjatë ditëve të Javës Botërore Pa Duhan 2015.
Liceu Artistik “Jordan Misja” Tiranë mori çertifikatë mirënjohjeje për organizimin dhe mbështetjen e konkursit të vizatimit më të mirë me temë anti-duhanin. Tre nxënës të kësaj shkole u nderuan me çmime;
Shkollat e mesme “Partizani”, “Harry Fultz”, “Sami Frashëri” dhe ajo e Mesme Teknike Ekonomike morrën pjesë në ndeshjet e minifutbollit të organizuara në kuadrin e Kupën “Shqipëria Jo Duhanit”. Shkolla Sami Frashëri fitoi kupën pasi u ndesh në finale me Shkollen e Mesme Teknike Ekonomike;
Shkolla “Fan Noli” organizoi një takim me nxënësit e klasave 7, 8, e 9, për dëmet e duhanit, moderuar nga shoqata e Lidhjes së Gazetarëve të Shëndetësisë.
(m.k/BalkanWeb)