Lautaro Martinez është futbollisti i momentit në Argjentinë pasi sulmuesi 20-vjeçar ka shënuar me ritme të kënaqshme, duke zgjuar interesimin e shumë skuadrave.
Megjithatë prej muajsh e ardhmja e tij është zgjidhur, pasi Inter kënaqi kërkesat e Racing për të lë lojtarin të largohet. Lautaro kështu gjatë verës e në vazhdim do të ketë mundësinë për të demonstruar aftësitë te zikaltërit.
Vetë Martinez shpjegoi për mediat argjentinase arsyet pse vendosi t’i bashkohet Interit, pavarësisht interesit të shumë klubeve.
“Iu përgjigja pozitivisht ofertës së Interit, pasi bashkë me menaxherët e mi, vlerësuam se në Serinë A do të kisha më shumë mundësi rritjeje sesa në Bundesligë apo ndonjë ligë tjetër. Zikaltrit treguan edhe një interes të fortë, ndërsa këtu në Argjentinë ne jemi simpatizantë të Interit, pasi aty kanë luajtur futbollistët më të mirë argjentinas”, u shpreh Martinez.
Më tej sulmuesi tregoi se negociatat për largim, me presidentin e Racing nuk qenë aspak të lehta dhe se është i lumtur për arritjen e akordit.
“Të negociosh me presidentin e Racingut nuk është aspak e lehtë, pasi ai dëshiron më të mirën për klubin e tij. Më vjen mirë që Interi u tregua i gatshëm të kënaqë dëshirat e klubit dhe në verë do të shkoj në Milano, me shpresën të justifikoj shpenzimin e zikaltërve. Kontratën nuk e kam firmosur ende, pasi më parë duhet të kaloj vizitat mjekësore”, deklaroi sulmuesi më i ri i zikaltërve.
(BalkanWeb)
