TIRANË- Në Kuadrin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), Banka Evropiane e Investimeve, në cilësinë e autoritetit kontraktues, ka autorizuar përgatitjen e Master Planit të Gazit për Shqipërinë dhe Planit të Identifikimit të Projekteve. Projekti i financuar nga Komisioni Evropian me një buxhet prej 1,100,000 Euro, do të përgatisë një master plan gjithëpërfshirës për periudhën afatmesme për gazin natyror që shqyrton gjithë aspektet (teknike, ligjore dhe rregullatore, të tregut, çështjet ekonomike e sociale etj.) që lidhen me futjen e gazit në disa rajone të Shqipërisë. Projekti është në përputhje me synimet strategjike të Shqipërisë në sektorin e energjisë. Në vijim të përgatitjes dhe marrëveshjes për Master Planin e gazit, do të përgatitet dhe do të miratohet një listë prioritare projektesh për investime në sektorin e për gazit, me qëllim që t’i bëhet e mundur qeverisë së Shqipërisë të tërheqë burime të tjera financiare për të mundësuar zbatimin e këtyre projekteve.
“Studimi po ndërmerret me kërkesën e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, dhe mundësuar nga financimi grant ii WBIF, me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), që mund të veprojë si financiere e mundshme për projekte parësore dhe që do të përfshihet në përgatitjen e studimit. Përveç ministrive përkatëse, përfitues të tjerë të këtij projekti do të jenë Enti Rregullator i Energjisë dhe Albpetrol. Zhvillimi i njohurive të përfituesve të këtij projekti, kryesisht i aftësive dhe ekspertizës brenda këtyre institucioneve në Shqipëri, lidhur me zhvillimin e sistemit të gazit është një aspekt kyç i asistencës teknike që do të sigurohet. Studimi do të shqyrtojë burime potenciale të gazit në Shqipëri, dukepërfshirë eksplorimet e brendshme, gazin nga Tubacioni Jon-Adriatik (pas ndërtimit), furnizimet përmes TAP / TANAP, si dhe një magazinim potencial nëntokësor gazi e terminal të Gazit Natyror të Lëngëzuar. Parashikimi i kërkesës për konsumimin e ardhshëm të gazit në vend do të shqyrtojë çdo sektor të madh të vendit, përfshirë shërbimet dhe industrinë, si dhe do të vlerësojë përfitimet nga stimujt për kalimin nga energjia elektrike te gazi, me gjasë vendosjen e çmimit të gazit (në tregjet me pakicë dhe me shumicë), si dhe iniciativat për eficiencën e përdorimit final të energjisë”,-sqaron MEI.
“Do të kryhet gjithashtu një itinerar dhe planifikim i sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit me synim ngritjen e rrjetit të gazit teknikisht me kosto më të ulët dhe në mënyrën më efikase të mundshme nga ana ekonomike, si dhe me ndikim sa më të paktë në mjedis”,-thuhet më tej në njoftimin e ministrisë.
Po sipas MEI, “Projekti është programuar të përfundojë në nëntor 2016, me qëllim që të ndahet dhe të diskutohet me palët kyç të interesit plani për zbatimin e këtij studimi, më 2 qershor 2015, në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë u mbajt një takim prezantues. Gjatë këtij takimi grupi i ekspertëve të WBIF / IPF paraqiti një përmbledhje të përqasjes së tyre për projektin”
“Ky projekt lidhet me studimin e fizibilitetit përfunduar më parë nga WBIF për Tubacionin Jon-Adriatik (Kroaci – BH – Mali i Zi – Shqipëri), me Studimin e Fizibilitetit për një Terminal GNL në Krk të Kroacisë, me projektin në vazhdim të KE-së për Unazën e Gazit, si dhe me studimin e Master Planit të Gazit në Malin e Zi që ka nisur në nëntor 2014 dhe po kryhet nga asistenca teknike e Instrumentit të përgatitjes së Projekteve në Infrastrukturë (IPF4) që zbatohet nga Konsorciumi COWI”,-përfundon deklarata.
(a.n/BalkanWeb)
