NGA: OLA MITRE* TIRANE- Për herë të parë Kodi i ri i Punës parashikon ngritjen e agjencive për punësimet e përkohshme, të cilat pritet të sigurojnë mbrojtje ligjore për të gjithë personat që punojnë si: hidraulikë, elektricistë, pastruese, babysitter, punëtorë ndërtimi me ditë, etj. Deri më tani këta persona kanë qenë të pambrojtur ligjërisht, duke punuar shpeshherë në të
zezë. Ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” zbardh sot mënyrën se si do të bëhet punësimi i tyre, përmes marrëdhënieve kontraktuale të punësimit, që parashikohen në dokumentin më të rëndësishëm që rregullon marrëdhëniet në punë. Tashmë projektligji “Për Kodin e Punës” ka kaluar në qeveri, ndërsa ndryshimet priten të kalojnë për diskutim në parlament.
AGJENCIA
Agjencia e Punësimit të Përkohshëm do të jetë “një urë lidhëse” mes punëdhënësit dhe punëtorit. Ajo do të kontraktojë përkohësisht punëmarrësin, duke e adresuar në një punë të caktuar, me kusht që midis tyre të ketë një marrëdhënie kontraktore punësimi. Në këtë kuptim do të ketë 2 punëdhënës: subjekti që ofron realisht vendin e punës (subjekti pritës) dhe agjencia, ku secili prej tyre do të ushtrojë kompetenca të caktuara. Kodi i ri i Punës saktëson se punësimi i përkohshëm nuk duhet të zgjasë më tepër se 2 vjet, pasi në këto kushte nuk konsiderohet më si i tillë. Duke qenë se subjekti pritës dhe agjencia do të luajnë funksionin e punëdhënësit, mes tyre do të ekzistojnë disa kushte të paracaktuara, për të realizuar kontraktimin e punonjësve të përkohshëm.
Kështu, sipas këtyre kushteve, të drejtën e zgjidhjes së kontratës së punës e ka punëmarrësi dhe agjencia, ndërsa në rastin e zgjidhjes së kontratës nga ana e punëmarrësit, për shkaqe që kanë të bëjnë me subjektin pritës, punëdhënësi ka të drejtë t’i kërkojë punëmarrësit me shkrim të paraqesë arsyet e kësaj zgjidhjeje. Po ashtu, saktësohet se pagat dhe përfitimet e tjera të punëmarrësit paguhen nga agjencia, ndërkohë që mosshlyerja e detyrimeve financiare të subjektit pritës kundrejt agjencisë nuk prek pagat dhe përfitimet e tjera të punëmarrësit.
Sipas Kodit, të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me deklarimet në organet tatimore, konfidencialitetin e të dhënave personale si dhe zbritjet nga paga, lidhur me tatimin mbi të ardhurat dhe kontributin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punëmarrësit, janë përgjegjësi e agjencisë. Në këtë mënyrë, këtyre personave duket se iu sigurohet ekspertiza e nevojshme ligjore për të mos u “mashtruar” nga punëdhënësi i tyre. Po ashtu, Kodi i Punës përcakton edhe një sërë rregullash të tjera që saktësojnë se si do të funksionojë punësimi i përkohshëm, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të plota nenet që shpjegojnë se s’i do të funksionojë ky punësim nga agjencia.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
