NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit

50 gjethe rrushi të njoma
1 tufë e bollshme qepë të njoma
1 qepë e thatë mesatare
1 tufë e vogël majdanoz
2 tufa lëpjetë ose 1 lëpjetë + 1 labot
1 tufë koper, 1 tufë nenexhik
2-3 hudhra të njoma
Oriz, kripë, piper i zi
80 ml vaj ulliri Olitalia

Përgatitja

Fillimisht lajmë mirë dhe thajmë të gjitha jeshilllëqet me ujë të bollshëm dhe i lemë të kullojnë mirë.

Vendosim një tenxhere me ujë të vluar dhe ziejmë gjethet e rrushit për 2-3 minuta. Ndërkohë grijmë imët erëzat, presim qepën në unaza të holla me gjithë bishtat, gjithashtu dhe hudhrat e njoma.

Ngrohim pak vaj dhe vendosim qepët e njoma, vetëm pjesën e bardhë të tyre (mund të shtojmë dhe një qepë të thatë nëse dëshirojmë) të kaurdisen derisa të zbuten mirë.

Bishtat e qepëve i shtypim lehtë me duar me pak kripë, gjithashtu dhe lëpjetën dhe labotin. I vendosim të gjitha jeshilllëqet në një tas së bashku me erëzat, kripë piper të zi, arrë moskat dhe rreth dy grushta oriz. Shtojmë dhe 2 lugë vaj ulliri dhe i trazojmë të gjithë përbërësit mirë me njëri tjetrin.

Vendosim në dërrasën e punës 1 gjethe rrushi. Vendosim në fillim të saj 1 lugë mbushje, kthejmë fillimisht të dy anët majtas dhe djathtas dhe më pas e rrotullojmë japrakun.

Vendosim në një tenxhere disa gjethe rrushi si bazë dhe më pas rrahim njëra pas tjetrës japrakët jo shumë të shtrënguar. Japrakët i vendosim me kujdes duke venë poshtë mbylljen e gjethes. Pasi të vendosim të gjithë japrakët i mbulojmë me 3-4 gjethe rrushi, vendosim më pas sipër tyre një pjatë dhe shtojmë pak ujë deri tek rrethi i pjatës. I vendosim japrakët për të zjerë 20-30 minuta dhe më pas i shërbejmë shoqëruar me pak kos.

(da.xha/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: