Duhet afërsisht edhe 2 muaj nga hapja zyrtare e merkatos por ashtu siç është raportuar edhe më parë e ardhmja e Antoine Griezman është vendosur. Futbollisti i Atletico Madrid me shumë mundësi sezonin tjetër do të veshë fanellën e Barcelonës. Këtë lajm e ka konfirmuar futbollisti i katalanasve, Luis Suarez, në një intervistë për mediat uruguaiane.

“Jemi krenarë që vijnë futbollistë si Antoine, ashtu si në muajt e shkuar ndodhi me Coutinho dhe Dembele. Ai luan dhe lufton prej vitesh në nivele të larta me një skuadër si Atletico dhe këtu do të jetë i mirëpritur. Nuk vjen për ti marrë vendin askujt, por me ambicien për trofe të rëndësishëm me skuadrën më të mirë në botë”.

Suarez u ndal të fliste edhe për një ish-shok skuadre, Neymar-in, që la Barcelonën për t’u transferuar te Paris SG. “Më erdhi keq që u largua nga Barcelona verën e shkuar. Jemi shumë miq, përveçse kemi qenë shokë skuadre, por vendosi pasi reflektoi dhe mori disa përgjegjësi për veten. Nuk mendoj se iku për para, por për të realizuar objektiva të akorduara edhe me PSG.”

Në fund edhe disa fjalë për Lionel Messi-n: “E shoh si një qenie humane, jo si Messi. Fëmijët tanë janë miq dhe bashkëshortet tona gjithashtu dhe në futboll nuk është e lehtë të gjesh një miqësi të fortë, sidomos me një shokun tënd që luan në të njëjtin rol. Por me Messi shkon përtej egoizimit. Ai më ka ndihmuar të fitoj Këpucën e Artë dhe unë do të bëj të pamundurën për ta ndihmuar”, përfundoi Suarez.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb