NGA: MIRSAD RAKAJ*TIRANE- Ekzekutohet në oborrin e banesës së tij i “forti” i Shkodrës, Xhabir Shega. 51-vjeçari, i cili një vit më parë i shpëtoi një atentati me armë zjarri, mbrëmë u qëllua për vdekje nga persona ende të paidentifikuar. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës bënë me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në lagjen “Ajasëm” në afërsi të kalasë “Rozafa” (në hyrje të qytetit verior). Fillimisht Shega është transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës, por ndërroi jetë në sallën e reanimacionit si pasojë e plagëve të marra në pjesën e kraharorit nga 2 plumba.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, viktima ka qenë në një largësi të konsiderueshme me objektivin e atentatit, ndaj dyshohet se ai është qëlluar me snajper nga kalaja. Autorët e krimit, të ndihmuar nga errësira kanë arritur të largohen pa lënë asnjë gjurmë, duke e bërë më të vështirë punën për uniformat blu. Vrasja e 51-vjeçarit ka alarmuar policinë e Shkodrës, e cila ka mbërritur shpejt në vendngjarje dhe është vënë në ndjekje të atentatorëve. Gjithashtu, në ndihmë të policisë kanë shkuar edhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) që kanë bërë krehjen e gjithë zonës, duke bërë kontrolle edhe në disa tunele që ndodhen poshtë kalasë. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, blutë deklaruan se dyshohet që 51-vjeçari të jetë vrarë për hakmarrje nga të njëjtët persona që i bënë atentat vitin e kaluar.
HETIMI
Mësohet se viktima Xhabir Shega, ose siç njihej si “Vil Shega” kishte dalë në oborrin e shtëpisë së tij private dhe pas disa minutash ai është qëlluar me 2 plumba në kraharor. Ai është shtrirë përtokë duke kërkuar ndihmë. Në atë moment familjarët e kanë transportuar urgjentisht në spital, por 51-vjeçari ka ndërruar jetë në duart e mjekëve. E njëjta skemë u përdor edhe një vit më parë për eliminimin fizik të tij. Në gusht të 2014-ës, banesa e Shegës u qëllua me snajper nga Kalaja. Për pasojë, ai u lëndua lehtë në oborr, ndërsa u plagos fqinji i tij, Sadetin Lohja, 40 vjeç. Sipas burimeve të mësipërme, Xhabir Shega ka qenë person me precedent penal, pasi në vitin 2002 ka vrarë me armë zjarri shtetasin me iniciale E.B..
Në lidhje me këtë vrasje, Shega ka bërë 12 vite burg dhe është liruar në vitin 2014.
Familja Shega ka qenë disa herë shënjestër e atentateve. Po një vit më parë, konkretisht më 6 qershor të vitit që shkoi, në lagjen “Bahçallëk” dy persona të maskuar me një automjet pa targa qëlluan me armë zjarri vëllain e viktimës, Nezir Shega duke e lënë këtë të fundit të plagosur. Ndërsa nga breshëritë e automatikut në atë atentat mbeti i vrarë kushëriri i tij si dhe u plagos një tjetër.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
