Nga: OLA MITRE*TIRANE-Reforma e pensioneve, e cila ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2015, reflektohet edhe në përllogaritjen e pensioneve suplementare të pleqërisë për ushtarakët. Sipas formulës së re, pensioni suplementar për këtë kategori do të përllogaritet duke shumëzuar pagën mesatare referuese mujore neto, me vitet e shërbimit dhe me 1 për qind (Pensioni suplementar = Paga Mesatare Referuese Mujore Neto x Vitet e Shërbimit x 1%). Ndërkaq, Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron se masa që rezulton nga kjo formulë nuk duhet të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë. Po ashtu, ISSH-ja sjell edhe shembuj konkretë sesi mund të përllogaritet masa e këtij pensioni.
Kështu, supozojmë se ushtaraku B.C. përfiton pension pleqërie në masën 23 400 lekë në muaj. Ai ka 25 vite shërbimi si ushtarak dhe pagë mesatare referuese mujore neto 42 900 lekë në muaj. Atëherë, llogaritja e pensionit suplementar të pleqërisë bëhet në këtë mënyrë: PSP = 42 900 lekë x 25 vite x 1% = 10 725 lekë/ muaj. Por, pensioni suplementar i pleqërisë nuk duhet të jetë më i lartë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë që ushtaraku B.C. gëzon, në çastin e lindjes së të drejtës së pensionit suplementar. Sipas shembullit tonë, ushtaraku B.C. përfiton pension pleqërie në masën 23 400 lekë/muaj. Në këtë rast, pensioni suplementar i pleqërisë është më i vogël se 50% e pensionit të pleqërisë (23 400 x 50% = 11 700 lekë), çka do të thotë se B.C. do të përfitojë pension suplementar pleqërie në masën 10 725 lekë/muaj. Duke qenë se reforma e re e pensioneve heq konceptin e pensionit maksimal (24 mijë lekë në muaj), do të thotë se ushtarakëve mund t’u rriten përfitimet për pensionin suplementar.
Kjo në varësi të pensionit të pleqërisë, pasi nëse dikush arrin të përfitojnë pension pleqërie në masën 30 mijë lekë, atëherë do të mund të përfitojë deri në 50% të tij ose thënë ndryshe, 15 mijë lekë pension suplementar pleqërie. Të drejtën për të përfituar këtë lloj pensioni e kanë: Ushtarakët e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, këta punonjës do të duhet të derdhin kontribute në masën 5 për qind të pagës bruto.
(a.n/GSH/BalkanWeb)
