Nga: KLODIANA LALA

TIRANE- Në Gjykatën e Kri meve të Rënda u zhvillua seanca e radhës gjyqësore ndaj dhjetë të pandehurve, të cilët dyshohen për rekrutime të besimtarëve myslimanë për xhihad luftarak në Siri dhe nxitje të urrejtjes ndërfetare. Besmir Duka, ishte dëshmitari i radhës dhe i vetmi që u dëgjua nga pesëshja gjykuese. Duka nuk pranoi të thoshte “betohem” pasi iu lexua formula e betimit nga sekretaria gjyqësore, duke lënë të nënkuptohet se nuk i njeh dhe respekton ligjet e shtetit. Në dëshminë e tij, Besmir Duka theksoi se nga të pandehurit njihte vetëm Fadil Muslimanin, të cilin e kishte fqinj dhe vëlla mysliman.

“Fadil Muslimanin e kam në lagje. Ai më ka shtyrë drejt Islamit”, – tha Duka. I riunga Elbasani mohoi kategorikisht në sallën e gjyqit të kishte marrë ndonjë propozim për të shkuar në Siri. Mandej, ai rrëfeu dhe momentin e shoqërimit nga policia. “Isha duke fjetur në xhaminë e Unazës së Re, kur ndjeva një tytë arme që më preku kokën. Policia kishte hyrë në xhami me armë dhe pa hequr këpucët. Në xhami dhe ne besimtarët hyjmë zbathur”, – tha dëshmitari.

I pyetur nga i pandehuri Gert Pashja nëse ishte informuar për arsyen e shoqërimit, dëshmitari Duka tha se “as sot nuk e di arsyen”. Në përfundim të dëshmisë së tij u ngrit Fadil Muslimani, i cili në fakt, njihet për predikimet e tij fetare. Por, ndonëse tha se do t’i bënte pyetje dëshmitarit Muslimani, filloi të predikonte mbi fenë. Kryesuesja e seancës, Liljana Baku, i ndërpreu disa herë fjalën, duke i kërkuar të bënte pyetje rreth akuzës, në të kundërt nuk mund të vazhdonte.

“Ky është burrë”, – iu kthye dëshmitari gjykatëses, ndërsa Muslimani vazhdonte me predikimin e tij. Në vijim, një tjetër i pandehur iu drejtua dëshmitarit me pyetjen nëse kishte dijeni që paqeruajtës të OKB-së kishin përdhunuar fëmijë. Dëshmitari tha se ata një gjë të tillë e bëjnë përherë se janë qafirë. Në këto momente, gjykata urdhëroi dëshmitarin që të largohej nga vendi prej nga jepte dëshminë, pasi nuk kishte më pyetje dhe se ai e kishte kryer detyrimin e tij ligjor.

Besmir Duka u shoqërua nga forcat e policisë dhe u ul në fund të sallës së gjyqit, duke ndjekur seancën. Ndërsa, trupa gjyqësore, në mungesë të paraqitjes së dëshmitarëve të tjerë, vendosi ta shtyjë seancën e radhës më 23 qershor, ku pritet që të dëshmojë Mide Dumani, bashkëshortja e Shkëlzen Dumanit. Ky i fundit, dyshohet të ketë humbur jetën gjatë luftimeve në Siri, ndërsa në vendin e shkatërruar nga lufta ndodhen dy fëmijët e tij të mitur, të cilët i mori kur u largua nga Shqipëria.

Mide Dumani kishte marrë dijeni për seancën, por sipas prokurorisë, nuk ishte paraqitur për arsye shëndetësore. Nëntë të pandehurit, mes të cilëve dhe dy imamët e vetëshpallur, Genci Abdurrahim Balla i xhamisë së Unazës së Re dhe Bujar Hysa i xhamisë së Mzezit, akuzohen për rekrutimin e të paktën 70 besimtarëve myslimanë dhe dërgimin e tyre për xhihad luftarak në Siri.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb