Radio spanjolle “Cadena Cope” pretendon se disponon një mesazh zanor të Diego Simeone-s të dërguar të besuarit të tij German Burgos menjëherë pasi Argjentina u poshtërua nga Kroacia me rezultatin 3-0.

Në mesazhin e publikuar dje në mbrëmje dhe që po bën shumë bujë në internet dëgjohet Simone t’i thotë Burgos: “Messi është shumë i mirë, por është shumë i mirë pasi rrethohet nga lojtarë të shkëlqyer. Nëqoftëse do të zgjidhje mes Messi-t dhe Ronaldo-s në një ndeshje normale, kë do zgjidhje?”

Nga intonacioni i zërit thuhet se Simeone e ka shprehur qartë që Ronaldo-n do ta zgjidhte para Messi-t.

Më poshtë po ju sjellim mesazhin e plotë 2 minutësh të Simeone-s, i cili mendohet se herët apo vonë do të bëhet trajner i Argjentinës.

“Ajo që po ndodh me kombëtaren është rezultati i punës së keqe që është bërë në katër vitet e fundit. Ka anarki, mungojnë lider nga ana e federatës dhe nga ana e atyre që drejtojnë skuadrën. Ekipi ka humbur rrugën: duhej të kishte luajtur kundër Islandës, që është një skuadër më e dobët, me lojtarët që kanë luajtur kundër Kroacisë. Dhe në të kundërt, duhej të kishte luajtur kundër Kroacisë, ashtu siç ka luajtur kundër Islandës. Skudra është keq, shumë keq. Por besoj se Argjentina do të kualifikohet”.

“Do të kalojë, sepse Nigeria do të mundë Islandën dhe Argjentina do të ketë mundësinë të kualifikohet duke mundur Nigerinë, gjithmonë nëse Islanda nuk do të fitojë kundër Kroacisë. Gjithsesi, nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë”, ka thënë Simeone.

“Të flasim për portierin, German, më thuaj të vërtetën: kishte gabuar më parë. Gaboi kundër Spanjës, gaboi kundër Italisë, kur u zhvendos nga shtylla dhe unë të thashë ‘është për të ardhur keq që nuk i shënuan, sepse kështu nuk do ta kuptojnë se nëse bën një gomarllëk të tillë në Botëror, do të pësojë gol’. Më pas është e vërtetë se lojtarët janë aspekti më i rëndësishëm i kësaj loje. Ne që kemi luajtur e dimë mirë këtë. 60% e përgjegjësisë është e tyre, por jo 90%, sepse kur ne trajnerët bëjmë një gomarllëk, është shumë herë më keq se kur e bëjnë lojtarët. Trajneri merr pjesë, dhe shumë, në këtë proces”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb