KORÇË- Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Korçë për takimin e fundit të turit nëpër Shqipëri të llogaridhënies ku ashtu si edhe herët e tjera ka dëgjuar shqetësimet e ndryshme të qytetarëve. Ndërsa i është dashur të moderojë takimin dhe komunikimin me ta, Rama e ka krahasuar veten me polic trafiku. Ndërsa një grua është ankuar se janë katër veta në familje pa punë, kryeministri i ka premtuar se nuk do të ikë nga Korça pa iu gjetur punë.

“Përshëndetje kam një hall të madh. Vete gjuha ku dhemb dhëmbi. Jemi vet i katërt në familje pa punë. Kanë shkuar tek zyrat e punës të dy djemtë, tek panairi i punës por asgjë. Janë të shkolluar”, tha gruaja por ndërsa kërkonte të vazhdonte të fliste, kryeministri i tha se kjo çështje do zgjidhet menjëherë duke thirrur edhe drejtuesin e zyrës së punës..

“Nuk iki nga Korça pa t’i futur në punë djemtë. Sa të mbarojë takimi. Sepse nëse dikush do punë dhe do punë ama, jo thjesht punë shteti që të marrë rrogën e të mos punojë, gjithmonë do punojë. Sa të mbarojë takimi do kesh provën e asaj që të thashë”, tha Rama.

Rama turi 1

Ndërsa drejtori i zyrës së punës tha se janë 720 vende punë të lira të sjella nga kompanitë dhe se do e ndihmonte familjen e zonjës.

Më pas Rama është përballur edhe me padurimin e burrave, të cilët nuk i ka lënë të flasin para grave. Nuk munguan as batutat.

“Jo mo burra jo. Nuk ka burra. Rri dëgjo gratë, boll dëgjoni njeri-tjetrin. O xhaxha me radhë…se dukem si polic trafiku. Nuk të vjen radha para grave. Unë besoj se këtë vend e kanë marrë më qafë burrat. Gratë janë të vetmet që mund ta shpëtojnë. Mirë që nuk po japim mundësinë ta shpëtojnë por t’u japim fjalën të paktën”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: