TIRANË-Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka caktuar në krye të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Fehmi Petkun. Në mbledhjen e sotme KLD emëroi edhe kreun e Gjykatës Administrative në Gjirokastër. Gjithashtu Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi aktet e vlerësimit për katër gjyqtarë.

“Në përputhje me pikën 2 të rendit të ditës, anëtarët e KLD-së, diskutuan mbi Informacionin e Inspektoratit për përfshirjen në vlerësimin profesional dhe etik me procedurë të përshpejtuar të disa gjyqtarëve. Sipas përcaktimeve në rendin e ditës seanca plenare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë vijoi me zhvillimin e procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, dhe kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si më poshtë vijon:
Kryetar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, z. Fehmi Petku.
Kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, z. Ramiz Lala.
Më tej mbledhja vijoi me procedurën për rishqyrtimin e kërkesës për procedimin disiplinor nr. 3993/2 prot., datë 09.01.2014 të Ministrit të Drejtësisë, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, A.Ç., duke caktuar ekspertin mjeko ligjor.”- theksohet në njoftimine KLD.

Më tej sqarohet: “Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 4 (katër) gjyqtarët e mëposhtëm:
1. Rexhina Merlika, Rrethi Gjyqësor Krujë;
2. Pashk Gjaci, Rrethi Gjyqësor Përmet;
1. Ornela Naqellari, Rrethi Gjyqësor Përmet;
2. Ardiana Bera, Rrethit Gjyqësor Tiranë;
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.”- përfundon njoftimi.

(a.n/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: