Një ndeshje futbolli sigurisht që nuk luhet vetëm brenda fushës dhe këtë e dinë mjaft mirë suedezët të cilët po përgatiten për t’u përballur me Zvicrën nesër për 1/8 e Botërorit.
Është futbollisti Pontu Janson i cili ka bërë shqiponjën me duar duke i kujtuar Xhakës dhe Shaqirit problemet që u solli ai simbol.
Për këtë është pyetur në konferencën për shtyp të Zvicrës futbollisti Granit Xhaka, i cili është shprehur: “Nuk është ndeshja ime e parë dhe provokimet janë të zakonshme në duele si këto. Kam mësuar nga gabimet e së kaluarës.”
Gazetarët e pyetën Xhakën nëse do të festonte sërish me shqiponjë në rast të një goli të mundshëm, por futbollisti i Arsenalit dribloi gjithçka.
Federata e Futbollit të Zvicrës nëpërmjet një përfaqësuesi të saj ndërhyri më pas në konferencën e shtypit duke thënë se do të lejoheshin vetëm pyetje në lidhje me ndeshjen. Këtu Xhaka u pyet mbi penalltinë e humbur në Europian ndaj Polonisë.
“Mund të fle normalisht edhe duke menduar këtë. Do të synojmë të mbyllim ndeshjen brenda 90 minutave por nëse çështja e kualifikimit do të vendoset me 11-metërsha, do jem nga të parët që do të marr përgjegjësinë, gjithmonë nëse ma lejon trajneri”, u shpreh futbollisti.
(BalkanWeb)