Në tregun e këmbimit valutor, fillimi i javës që përkon me mesin e muajit korrik dhe me një dinamikë të fluksit të turistëve në vendin tone, ka shënuar forcimin e pozitave të lekut në këmbim me euron.

Sipas kursit të BSH-së, euro është zhvlerësuar me 0.1 lekë krahasuar me nivelin e javës së kaluar. Një euro këmbehet sot për 125.88 lekë, megjthatë sipas ekspertëve, nuk shmanget mundësia e rikthimit në vlerat e javës së kaluar gjatë ditëve në vijim.

Luhatjet kanë qenë pak më të thella për dollarin amerikan dhe paundin britanik, që janë zhvlerësuar përkatësisht me 0.27 lekë dhe 0.43 lekë.

Në rritje u regjistrua sot franga zvicerane, e cila ka fituar 0.36 lekë ndaj monedhës vendase dhe gjendet në kuotën e 107.97 lekëve.

Sipas Bankës së Shqipërisë, edhe dollari australian ra me 0.32 lekë, ndërsa dollari kanadez me -0. 09 lekë.

Ekspertët shprehen se, fluksi i lartë i turistëve do të vazhdojë të ndikojë në forcimin e monedhës vendase Lek, megjithëse ndërhyrjet e Bankës Qendrore në tregun valutor kanë zbutur ndjeshëm rënin e lirë të monedhës europiane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb