TIRANE– Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 82-vjecare të aktivistit dhe atdhetarit të shquar Adem Demaci. Përmes një postimi në Facebook, Meta thotë se Kosova dhe mbarë shqiptarët përjetojnë sot me dhimbje humbjen e simbolit të rezistencës kombëtare, ndërsa patrioti Adem Demaçi mbetet frymëzim për të gjitha brezat e shqiptarëve.

Statusi i plotë i Presidentit Ilir Meta:
Jam thellësisht i hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta të emblemës së qëndresës shqiptare, Adem Demaçi.
Kosova dhe mbarë shqiptarët përjetojnë sot me dhimbje të thellë humbjen e simbolit të rezistencës kombëtare, të luftës për liri dhe të një prej personaliteteve më të vlerësuara në arenën botërore.
Duke u nderuar me çmimin “Sakharov” nga Parlamenti Evropian, kauza e madhe e luftës për një Kosovë të lirë fitoi përmasat e një çështjeje ndërkombëtare të shtruar për zgjidhje.
Patrioti Adem Demaçi mbetet frymëzim për të gjitha brezat e shqiptarëve, një shembull dhe një model kombëtar i skalitur në historinë e shqiptarëve dhe të luftës kombëtare për pavarësinë e Kosovës.
Sot humbëm atdhetarin e flaktë, njeriun që mbajti gjallë shpresën e së ardhmes dhe idealin e pavarësisë së Kosovës.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tij!

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb