NGA ARTAN SHKRELI
Një libër mbi arkitekturën, shfaqur në libraritë ndërkombëtare dhe titulluar “A critical history of CONTEMPORARY ARCHITECTURE, 1960-2010”, hedh dritë në mënyrë kritike mbi zhvillimet arkitekturore botërore, nga 1960-ta në 2010-ën. Në fakt libri, me autorë profesorët Elie Haddad dhe David Raifking, i cili pa dritën e botimit më 2014-ën përmes “Ashgate Publishing Limited”, rreket të përkapë kthesën e madhe që karakterizoi trajektoren e arkitekturës botërore në fillimvitet ’60 të shek XX; trajektore që, sikurse u paralajmërua nga takimi i fundit i CIAM-it, do shënonte një fazë të re në arkitekturë, atë që rëndom e quajmë bashkëkohore. Me pak fjalë, arkitekturën e re që po e lëshonte dora-dorës pozicionin monolit ndaj Racionalizmit Europian, e kryesisht ndaj Stilit Internacional, në favor të një dialogu me “të kaluarën”, me problematikat “mjedisore” apo variacionet “vendore”.
Sipas recensioneve, ky libër prej 530 faqesh, me pak ilustrime por të përzgjedhura kujdesshëm, jo vetëm pasqyron perspektivat e ndryshme të arkitekturave që merr në shqyrtim, por bën një qasje origjinale në kritikën e tij. Kështu, pa lënë pas dore historikun në pikëpamje “estetike”, apo ndryshe shqyrtimin e arkitekturës thjesht në pikëpamje formale, ai vlerëson edhe diçka tjetër tejet të rëndësishme, historikun në pikëpamje “ideologjike”, pasi ky i fundit shpesh ka qenë përcaktues për vetë arkitekturën.
Pas një periplusi, le të themi historik, në pjesën e parë të librit (me Modernen, Post-Modernen, High-Tech, Dekonstruksionin, Arkitekturën e Gjelbër dhe atë Postkoloniale), në pjesën e dytë shtegtimi merr natyrë gjeografike (Amerika e Veriut, ajo Latine, Europa Perëndimore, ajo Lindore, për të vijuar me Afrikën, Azinë etj.).
Por, vrojtimi i ndërtimtarisë në Europën Lindore është veçanërisht interesant, për t’i bërë me dije botës se ç’ndodhte asokohe pas perdes së hekurt, të “nderë” nga ndikimi i Bashkimit Sovjetik. Kjo pjesë e librit, punuar nga Kimberly Elman Zarecor, nuk lë jashtë vëmendjes, veç rolit përcaktues që pati aty arkitektura zyrtare, edhe rolin e artistëve dhe arkitektëve disidentë. Kështu libri rrugëton që nga John Eisler, që shtrëngohet të mërgojë në Perëndim, e deri te hungarezi Imre Makovec i cili, ndonëse profesionist i kalibrit të lartë, për “mungesë bashkëpunimi” u internua në fshat duke u mohuar prore për së gjalli. Ndërkohë që, si rastet më ekstreme të Europës Lindore shënohen ato të arkitektëve Maks Velo nga Shqipëria dhe Christian Enzmann e Berndt Ettel nga Gjermania, të cilët u arrestuan dhe u burgosën vetëm për shkak të perceptimit që ata kishin mbi arkitekturën dhe rolin e saj, perceptim ky në kundërshtim të hapur me normën e rreptë të regjimit.
Kjo përmendje jo e rastësishme bëhet me qëllim që bota të dëgjojë, të paktën sot, atë pëshpërimë të ndrojtur, por shumë të rëndësishme, që atëbotë ishte e pamundur të dëgjohej, artikuluar në Europën komuniste nga arkitektë intelektualë të pakompromis. Autorët kanë dashur të hedhin dritë edhe në “kuzhinat” e brendshme të ideve intelektuale, në të cilat arkitektët sfidonin pa bëzajtur por vijueshëm regjimin. Bie fjala, Ines Weizman dëshmon për arkitektët lindorë që mblidheshin pa u ndjerë nëpër apartamentet e njëri-tjetrit, dhe diskutonin e këqyrnin revistat që u ndaloheshin edhe vetë atyre. Kishte pasur edhe raste kur ata kishin marrë pjesë tinëzash në konkurse ndërkombëtare të botës së lirë. Të gjitha këto forma disidence, shpesh të ndërthurura me letërsinë dhe muzikën, i dhanë korp krejt mendimit dhe qëndrimit kritik që opozita intelektuale e këtyre vendeve shpaloi në vitet ’70 dhe fundvitet ’80 të shekullit të kaluar.
Ndër ato pak ilustrime të librit, për këtë kategori skajshmërisht interesante arkitektësh, autorët kanë zgjedhur “Pallatin me Kuba”, ose të ashtuquajturin “Pallati i Kadaresë”, realizuar në Tiranë më 1971 nga Maks Velo. Në libër theksohet fakti tronditës se tetë vjetët e kaluar në burg nga arkitekti u “motivuan” në aktakuzë për shkak të prirjeve moderniste të arkitektit si rezultat i ndikimit të tij nga propaganda perëndimore. Kësisoj, vepra e tij me karakter abstrakt, aty ilustrohet në mënyrë veçanërisht me pallatin e banimit të lartpërmendur.
Duhet theksuar se, ndonëse shkarazi, kjo është hera e parë që një arkitekt shqiptar zë vend në një përmbledhje të historisë së arkitekturës bashkëkohore botërore; dhe për këtë përmendje, natyrisht pos gjenisë së Maks Velos tashmë të njohur nga të gjithë në Shqipëri, meritë ka edhe Elidor Mëhilli, i cili u ofroi material bindës autorëve të librit, duke dhënë shpjegimet përkatëse ndaj interesit të tyre analitik.
Duket se tashmë arkitektura shqiptare ka zërin e saj origjinal në teatrin urban botëror, zë i cili të paktën tani për tani, flet përmes artit dhe poetikës arkitekturore të Maks Velos.
*Arkitekt
