KORÇË- Nga nesër nis në qytetin e serenatave Festa e Birrës, një festë tradicionale e përvitshme që mbledh në Korçë jo vetëm vizitorë shqiptarë por edhe qindra turistë të huaj që presin të shijojnë birrën e famshme shqiptare “Birra Korça” që i ka dhënë edhe emrin kësaj feste.

Gazetari Mariglen Bita raportoi për “BalkanWeb” se çdo gjë është gati në Korçë, ku janë ngritur stendat dhe është krijuar infrastruktura e nevojshme. Për më tepër policia e Korçës ka marrë masa shtesë për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit e për të mos lejuar asnjë cenim të sigurisë.

Edhe pse nis nesër Korça tashmë po pret qindra turistë, të cilët kanë ngritur kamperat e tyre duke kaluar këto ditë të nxehta në qytetin juglindor.
Festa e Birrës këtë vit përkon me 90-vjetorin e Birrës Korça, birrës së parë shqiptare, e cila nuk ka si t’i mungojë aktiviteteve që do të zhvillohen për ditë me radhë duke nisur nga nesër, për të freskuar ditët dhe netët e atyre që duan ta shijojnë.

Masat e marra nga Policia, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në kuadër të manifestimit të Festës së Birrës-Gusht 2018.
Më datë 08.08.2018 deri më 12.08.2018, në qytetin e Korçës, përpara Stadiumit “Skënderbeu” si edhe tek “Pazari i Vjetër” do të zhvillohet eventi i Festës së Birrës.
Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike, për zhvillimin e manifestimin sa më normal të saj.
Nga këto struktura do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve nga vendi i quajtur “Lëndina e Lotëve”, “Pallati i Sportit”, Qendra e Trajtimit të Studentëve, drejt Unazës së Stadiumit si edhe në rrugën “Niko Kovaçi” (rruga e dritave të verdha) duke filluar që nga data 08.08.2018, ora 10:00.
Sqarojmë të gjithë pjesëmarrësit se organizatorët kanë marrë masa për lejimin e parkimit, pranë kompleksit sportiv, në afërsi të Stadiumit.
Ndërkohë do të lejohet hyrja në unazën lindore dhe veriore të Stadiumit, vetëm për automjete apo subjekte të vecanta që janë të autorizuar nga organizatorët e këtij eventi.
Përgjatë Shesheve dhe Bulevardeve kryesore të qytetit “Republika” dhe “Gjergj Kastrioti”, ku ka përqëndrim dhe qarkullim të madh njerëzish e mjetesh, do të ketë shërbime të shtuara të punonjësve të Policisë, të cilët do të mbikqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve, si edhe do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme të cilat mund të cënojnë sigurinë publike.
Në varësi të fluksit të mjeteve, Policia Rrugore do të marrë masa për orientimin dhe disiplinimin e lëvizjes si para, gjatë por edhe pas përfundimit të aktivitetit, deri në normalizimin e saj.
Këshillohen të gjithë drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e shtuara me mjet përgjatë këtyre ditëve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke kufizuar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, me qëllim shmangien e ngjarjeve të mundshme rrugore.
Shërbimet e Rendit, do të kujdesen gjithashtu për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë si : Nënstacionet Elektrike, Ujësjellësi, etj për të forcuar masat e ruajtjes së tyre.
Të gjithë qytetarët të cilët ndeshen me probleme apo shqetësime të ndryshme, janë të lutur të telefonojnë tek nr 129 i Policisë së Shtetit, pasi do ju sigurohet një reagim i menjëhershëm.
Policia e Korçës, gjen rastin t`iu urojë argëtim sa më të këndshëm, të gjithë pjesëmarrësve në këtë event festiv!
(m.k/BalkanWeb)
