Malcom ka qenë një ndër emrat më të përfolur të merkatos së verës, por zërat më shumë për të u shtuan kur braziliani pasi ishte zyrtarizuar te Roma vendosi të transferohej te Barcelona.
Kjo solli që drejtori sportiv i verdhekuqve, Monchi, si dhe presidenti Pallotta, të mbanin qëndrim ndaj Barcelonës dhe lojtarit. Për këtë çështje është shprehur së fundmi agjenti i Malcom, Leonardo Cornacini, i cili ka lëshuar akuza ndaj italianëve.
“E vërteta është se Malcom nuk shkoi te Roma, sepse ata nuk u sollën mirë me ne. Po punonim edhe për Fuzato, që është një lojtar që ne përfaqësojmë. Më pas, Roma e arriti marrëveshjen me një ndërmjetës tjetër. Le ta themi se kjo na irritoi. E vërteta është se mënyra si u soll Roma ne bëri që të mos mendoheshim asnjë sekondë kur folëm me Barcelonën. Edhe Malcom është shumë i lumtur për atë që ndodhi,” – tha menaxheri brazilian.
(BalkanWeb)
