Në Madrid është mbajtur të premten një takim mes presidentëve të klubeve më të mëdha në Europë që bëjnë pjesë në shoqatën e klubeve europiane.
E përditshmja spanjolle “AS” shkruan se presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ai i Paris SG, Naser Al-Khelaifi dhe ai i Juves, Andrea Agnelli, janë parë dje të dalin nga i njëjti hotel, Gran Meliá Felix Hotel.
Sipas këtij burimi ata kanë diskutuar kokë më kokë për disa tratativa ne mërkato, ku pjesën më të madhe e zuri çështja ‘Rabiot’, i cili pëlqehet shumë nga Barcelona, ndërkohë që Dembele ndiqet prej kohësh nga Paris SG.
Por Rabiot pëlqehet edhe nga Juventusi, e kjo shpjegon praninë e numrit 1 të klubit. Mesfushorit i përfundon kontrata në verën e 2019-ës dhe atij i është ofruar rinovimi nga klubi parisien. Por vetë lojtari ka refuzuar të firmosë kontatën e re, duke sjellë pakënaqësi te drejtuesit. Ata e kanë kërcënuar se ai nuk do të luajë gjatë gjithë sezonit nëse nuk rinovon, por mesfushori nuk ka ndryshuar qëndrim.
Ndërkohë parisienët janë gati të bëjnë një ofertë për Dembele-në, i cili u mor si zëvendësues i Neymar-it, por te katalanasit nuk ka dhënë atë që pritej. Kostoja totale e tij shkoi në 145 milionë euro. Te Barça janë në pritje të një oferte të kënaqshme nga PSG dhe nëse ajo vjen do ta lënë lojtarin të ikë.
(BalkanWeb)