SARANDË- Një aksident i rëndë ka ndodhur pak para mesditës në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, pranë vendit të njohur si ‘Hidrovori’.
Mësohet se një çift italian që udhëtonte me motor është përplasur me një makinë dhe për pasojë ka humbur jetën gruaja Maria Sedda, 64 vjeçe, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Sarandës burri Giuseppe Sciutto, 65 vjeç.
Makina që u përfshi në aksident është tip “Ford” me targa AA 609 UD dhe rezulton në pronësi të shtetasit me inicialet A.T, ndërsa motori i marrë me qira nga çifti italian është tip “Piaggio” me targa AL 429 dhe rezulton në pronësi të J.P.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe motiveve të aksidentit.
Informacion paraprak
Më datë 24.08.2018, rreth orës 11:00, në aksin rrugor Sarandë – Butrint, në fund të Kanalit të Çukës ka ndodhur një aksident midis një automjeti dhe motori, me pasojë vdekjen e një personi.
Konkretisht në zonën e Hidrovorit, automjeti tip “Ford” me targa AA 609 UD është përplasur me një motoçikletë tip “Piaggio” me targa AL 429, ku si pasojë ka humbur jetën një shtetase italiane (pasagjeria e motorit) dhe është plagosur rëndë drejtuesi i këtij motori, të dy shtetas italian me banim në Genova, Itali.
I dëmtuari ndodhet në Urgjencën e Spitalit të Sarandës. Po punohet për gjeneralitetet e tyre.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer hetimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave.
(d.d/BalkanWeb)
