KSAMIL- “BalkanWeb” ka siguruar pamjet e aksidentit të rëndë që ndodhi sot në mesditë në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, pranë vendit të njohur si ‘Hidrovori’.

Një makinë “Ford” me targa AA 609 UD është përplasur me një motor tip “Piaggio” me targa AL 429 me të cilin udhëtonin një çift turistësh italianë.

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën gruaja Maria Sedda, 64 vjeçe, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Sarandës burri Giuseppe Sciutto, 65 vjeç. Në pamje shihet makina dhe motori i dëmtuar si dhe trupi i viktimës pranë makinës.

“BalkanWeb” mëson se makina është në pronësi të shtetasit me inicialet A.T, ndërsa motori ku udhëtonte çifti ishte marrë me qira dhe rezulton në pronësi të J.P.

Forca policie drejt vendngjarjes kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe motiveve të aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Më datë 24.08.2018, rreth orës 11:00, në aksin rrugor Sarandë – Butrint, në fund të Kanalit të Çukës ka ndodhur një aksident midis një automjeti dhe motori, me pasojë vdekjen e një personi.

Konkretisht në zonën e Hidrovorit, automjeti tip “Ford” me targa AA 609 UD është përplasur me një motoçikletë tip “Piaggio” me targa AL 429, ku si pasojë ka humbur jetën një shtetase italiane (pasagjeria e motorit) dhe është plagosur rëndë drejtuesi i këtij motori, të dy shtetas italian me banim në Genova, Itali.

I dëmtuari ndodhet në Urgjencën e Spitalit të Sarandës. Po punohet për gjeneralitetet e tyre. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer hetimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave.

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: