Chelsea mori 3 pikë të vështira dje kundër Newcastle, por ajo që vunë re të gjithë ishte se blutë e Londrës e dominuan absolutisht sfidën.
Meritën më të madhe për këtë e ka mesfushori Jorginho, lojtar i cili u ble për 60 mln euro nga Napoli dhe që është një nga të besuarit e trajnerit Sarri.
Italo-braziliani ishte thuajse perfekt dje, kur për pak mund të kishte vendosur edhe rekordin në “Premier League”. Bëhet fjalë për numrin e pasave.
Numri 5 i londinezëve e preku 173 herë topin nga ku 158 ishte numri i saktë i pasave, më shumë se i gjithë ekipi i Neëcastle që bëri në total 131 pasa.
Rekordin në “Premier League” për pasa të saktë brenda një ndeshje e mban Ilkay Gundogan, mesfushori i Manchester City-t që në një ndeshje kundër Chelsea realizoi 167 të tilla.
Me 3 pasa më pak mban vendin e dytë Fernandinho, mesfushori tjetër i Manchester City-t, të realizuara në një sfidë kundër Everton. Podiumin e mbyll Jorginho me sfidën e luajtur dje.
Kujtojmë se ish-futbollisti i Napolit ka qenë deçiziv edhe në dy ndeshjet e para të Chelsea-s, duke befasuar këdo që kishte dyshime në prag të sezonit.
(BalkanWeb)